Ditët e fundit, në rrjetet sociale ka shpërthyer një valë e pazakontë spekulimesh, shpifjesh dhe dezinformimi publik, sipas të cilave deputeti i Partisë Demokratike, Ramadan Likaj, gjoja po përgatitet të largohet nga PD për t’iu bashkuar Partisë Socialiste.
Këto pretendime kanë shkaktuar shqetësim te shumë demokratë në Malësinë e Madhe. Anëtarë të Kryesisë së PD-së në këtë zonë kanë kontaktuar redaksinë e AlbDreams, duke kërkuar sqarime dhe verifikim të informacionit që po qarkullon me shpejtësi në rrjetet sociale.
Pas verifikimeve të kryera nga redaksia, rezulton se aktiviteti publik i deputetit Likaj në rrjetet sociale ka qenë i përqendruar tërësisht në angazhimin për mbarëvajtjen e referendumit të Partisë Demokratike për konfirmimin e Dr. Sali Berishës në krye të kësaj force politike. Gjithashtu, është konfirmuar edhe shpërndarja e një mesazhi drejtuar strukturave drejtuese të PD-së në Malësinë e Madhe, ku kërkohej pjesëmarrje sa më e lartë në procesin e votimit.
Në një prononcim për AlbDreams, kryetari i PD-së së Malësisë së Madhe, Ferd Sterkaj, i ka hedhur poshtë kategorikisht këto pretendime.
“Bëhet fjalë për një fushatë të ndyrë dhe dashakeqe ndaj deputetit Ramadan Likaj. Kjo vjen pikërisht në një kohë kur ai ka shtuar presionin institucional në Kuvend për çështje që lidhen me Paketën e Maleve dhe për më shumë vëmendje ndaj Malësisë së Madhe dhe veriut të Shqipërisë në përgjithësi”, është shprehur Sterkaj.
Për të sqaruar përfundimisht opinionin publik, redaksia kontaktoi edhe vetë deputetin Ramadan Likaj. Në një reagim të shkurtër, ai u shpreh se sulmet ndaj tij janë pasojë e qëndrimeve dhe angazhimit të tij politik.
“Me sa duket, disa i kanë djegur fjalimet e mia në Parlament dhe axhenda që unë përfaqësoj. Kur nuk kanë argumente, zgjedhin rrugën që njohin më mirë: shpifjen publike”, deklaroi ai.
Më tej, deputeti demokrat dha një përgjigje të prerë ndaj zërave për një largim të mundshëm nga Partia Demokratike:
“Edhe sikur të dal të lyp në rrugë për bukën e fëmijëve të mi, Ramadan Likaj nuk bëhet me Partinë Socialiste. Jam anëtar i Partisë Demokratike dhe prej shumë vitesh i shërbej kësaj force politike. Ramadan Likaj nuk tjetërësohet.”
Deklarata e tij pritet t’i japë fund spekulimeve që kanë qarkulluar ditët e fundit, ndërsa drejtuesit demokratë në Malësinë e Madhe i konsiderojnë këto pretendime si pjesë të një fushate të qëllimshme dezinformimi dhe propagande politike.

