Më shumë se 600 persona janë vënë në pranga dhe një numër i konsiderueshëm efektivësh policie dhe xhandarmërie janë plagosur në Francë, pasi protestat e nxënësve të shkollave të mesme janë intensifikuar.
Prej javësh, lëvizja e studentëve të shkollave të mesme, të cilët kundërshtojnë kushtet e tre viteve të fundit të arsimit të dytë, ka tensionuar situatën dhe irrituar autoritetet franceze.
Që prej javës së kaluar, të rinjtë protestojnë para shkollave, duke shprehur pakënaqësi për ndarjen e orëve mësimore, mbipopullimin e klasave, mungesën e mësuesve dhe temperaturat e larta gjatë verës.
Fillimisht protestat nisën në rajonin Ile de France, përreth Parisit, por lëvizja është përhapur shpejt edhe në qytete të tjera të vendit.
Të mërkurën, u arrestuan 625 persona gjatë bllokimeve të shkaktuara nga nxënësit, ndërsa sipas ministrit të Brendshëm, nismat janë zgjeruar ndjeshëm.
Laurent Nunez dënoi “përshkallëzim të dhunës” që u shënua jashtë 356 shkollave dhe vuri në dukje se 83 efektivë policie dhe xhandarmërie janë plagosur në përballje me protestuesit.
Ministri theksoi se forcat e sigurisë janë përballur me sulme të drejtpërdrejta, ku manifestuesit kanë hedhur shashka, kanë përdorur dhunë dhe protestat janë shndërruar në trazira urbane.
Sipas ministrit të Arsimit, Edouard Geffray, nga fillimi i protestave javën e kaluar, janë lënduar gjithsej 119 nxënës dhe anëtarë të stafit pedagogjik.
Ndër qytetet më të prekura nga trazirat janë Parisi, Bordoja, Lioni dhe Lile, ku policia ka ndërhyrë me gaz lotsjellës për të shpërndarë grupet e të rinjve protestues.

