Publikohet fotoja e automjetit të Kejdi Spajas, 31-vjeçarit, i cili dyshohet se ka qenë objektiv i një atentati të ndodhur mbrëmjen e djeshme në zonën e Shkozës, ku u plagos efektivi Anxhelo Kumaraku.
Në pamje duken shenjat e plumbave të qëlluara në drejtim të automjetit të 31-vjeçarit, i cili sipas dyshohet se ka qenë shënjestër e sulmit.
Policia dyshon se dy vëllezërit, Aldo dhe Ali Lika, të cilët janë shpallur në kërkim nga policia kanë tentuar të vrisnin shtetasin Kejdi Spaja, i cili ishte me masë sigurie “arrest në shtëpi”.
Ata qëlluan nga një makinë drejt 31-vjeçarit Spaja, i cili ndodhej pranë banesës së tij me efektivin Kumaraku dhe një person të tjetër me iniciale L.D.
Policia arrestoi 31 vjeçarin Spaja, pasi nga verifikimet rezultoi se kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”. Ndërkohë po punohet për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim.
Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka pezulluar menjëherë nga detyra punonjësin e Policisë, Anxhelo Kumaraku. Ndaj tij, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur hetim disiplinor.

