Shkodra përgatitet për Festën e Birrës, por këtë herë vëmendjen nuk e tërheq vetëm aktiviteti. Është vendi ku janë vendosur kioskat që ka ngritur pikëpyetje.
Strukturat e festës janë vendosur pothuajse në oborrin e Xhamisë “Ebu Beker”, një zgjedhje që vështirë se mund të kalojë pa u vënë re në një qytet me një histori të fortë të bashkëjetesës fetare.
Dhe këtu lind pyetja:
A është thjesht një zgjedhje e gabuar e Bashkisë Shkodër, apo një tjetër provokim i Ermira Telitit, e konsideruar edhe si “kryetarja në hije” e bashkisë?
Sepse vendosja e një aktiviteti të tillë pothuajse në oborrin e një xhamie nuk është një detaj i parëndësishëm. Është një vendim që kërkon shpjegim dhe që, minimalisht, krijon përshtypjen e një provokimi të panevojshëm.
Kush e zgjodhi këtë hapësirë? Kush e miratoi? Dhe mbi të gjitha, a është marrë në konsideratë ndjeshmëria e komunitetit mysliman dhe respekti që duhet treguar ndaj një objekti kulti?
Nuk bëhet fjalë për të kundërshtuar festat apo aktivitetet publike në Shkodër. Bëhet fjalë për vendin ku ato organizohen.
Nëse kjo është një zgjedhje e vetëdijshme, atëherë Ermira Teliti duhet të shpjegojë pse është zgjedhur pikërisht kjo hapësirë dhe nëse Bashkia Shkodër e ka konsideruar të arsyeshme vendosjen e kioska-ve të Festës së Birrës kaq pranë një xhamie.
Shkodra është qytet i bashkëjetesës. Pikërisht për këtë arsye, vendime të tilla nuk mund të kalojnë pa përgjigje.
Festa mund të jetë një aktivitet i caktuar, por vendi ku e çon festën është përgjegjësi e atyre që japin lejet.

