Një grafik i ripublikuar nga Ministria e Financave para pak ditësh theksonte se Shqipëria konfirmohet si një nga ekonomitë më të forta dhe më të qëndrueshme në rajon, pasi pritet të ketë një rritje prej 3.4% në 2026-n, e dyta më e lartë në rajon pas Kosovës (grafiku në fund).
Por, duket se as kjo rritje ekonomike dhe as reduktimi i popullsisë që zbriti nga 2.8 milionë në 2.38 milionë në një dekadë përgjatë dy censeve nuk kanë arritur që të përmirësojnë treguesin e të ardhurave për frymë dhe as atë të cilësisë së jetesës së shqiptarëve.
Të dhënat e sapopublikuara nga Eurostat bëjnë të ditur se të ardhurat për frymë të Shqipërisë, të matura sipas prodhimit të brendshëm për frymë ishin sa 43% e mesatares së Bashkimit Europian, me një përmirësim të lehtë me 1 pikë përqindje nga viti 2024.
Shqipëria është në të njëjtin nivel me Maqedoninë e Veriut dhe lë pas vetëm Bosnjë Hercegovinën (36% e mesatares së BE-së). Rajonin e kryeson Mali i Zi me 54% e ndjekur nga Serbia me 52%.
Në treguesin tjetër atë të konsumit aktual individual (AIC (Actual Individual Consumption), që sipas Eurostat është një tregues më i mirë për të matur mirëqenien, pasi merr në konsideratë fuqinë blerëse, Shqipëria renditet më poshtë se Maqedonia e Veriut, me treguesin që është sa 48% e mesatares së BE-së, nga 50% që e ka nivelin Maqedonia e Veriut, çka tregon se ndonëse kanë të ardhura të njëjta, fuqia blerëse e shqiptarëve është më e ulët.
Në rajon, sërish kryesimin e ka Mali i Zi, me 71% të mesatares së BE-së dhe me diferencë mbi 20 pikë pikë përqindje me ne, që tregon se sa pak vlerë ka paraja në Shqipëri. Për Serbinë treguesi është 57% dhe e fundit është Bosnjë Hercegovina me 44%. Të dhënat për Kosovën mungojnë.
Konsumi aktual individual (AIC – Actual Individual Consumption) mat mallrat dhe shërbimet që konsumojnë realisht individët, pavarësisht nëse paguhen drejtpërdrejt nga familjet apo financohen nga shteti, si arsimi dhe shëndetësia.
Për këtë arsye, Eurostat e përdor AIC si një tregues më të afërt të mirëqenies materiale të familjeve dhe fuqisë reale blerëse, krahasuar me PBB-në për frymë, e cila mat prodhimin ekonomik.
Në vitin 2025, konsumi individual real për frymë, i matur sipas standardit të fuqisë blerëse (PPS), luhatej nga 73% deri në 145% të mesatares së Bashkimit Europian në 27 vendet anëtare.
Tetë vende të BE-së regjistruan nivele konsumi për frymë mbi mesataren e unionit. Nivelet më të larta u shënuan në Luxembourg, ku konsumi ishte 45% mbi mesataren e BE-së, pasuar nga Germany me 20% dhe Netherlands me 19%.
Nga ana tjetër, 19 vende mbetën nën mesataren evropiane. Nivelet më të ulëta u regjistruan në Hungary dhe Latvia, ku konsumi për frymë ishte 27% më i ulët se mesatarja e BE-së, ndërsa Estonia renditej menjëherë pas tyre me 26% nën mesatare.
Diferenca të mëdha edhe në PBB për frymë
Edhe Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) për frymë, një nga treguesit kryesorë të aktivitetit ekonomik, paraqiti dallime të konsiderueshme mes vendeve të BE-së.
Dhjetë vende anëtare regjistruan PBB për frymë mbi mesataren e unionit. Kryeson Luxembourg me një nivel 139% më të lartë se mesatarja e BE-së, i ndjekur nga Ireland me 138% dhe Netherlands me 33%.
Në fund të renditjes qëndrojnë Greece dhe Bulgaria, ku PBB-ja për frymë ishte 32% nën mesataren e BE-së, ndërsa Latvia renditej më pas me 29% nën mesataren europiane./Monitor

