Ditmir Bushati, ish-ministri i Jashtëm, ka komentuar për herë të parë mbi protestat e mëdha që prej ditësh po zhvillohen nga të rinjtë dhe qytetarët, të cilët kërkojnë që kryeministri Edi Rama dhe qeveria e tij të japin dorëheqjen.
Reagimi i plotë:
Si prind jam me të rinjtë që kërkojnë një jetë me dinjitet në atdheun e tyre.
Si njeri i botës universitare mbështes plotësisht kërkesat e studentëve. E ardhmja do të përcaktohet nga aspirata, revolta dhe energjia e një brezi që nuk pranon të pajtohet me atë çka u ofrohet si normalitet.
Si qytetar jam kundër akteve të dhunës dhe kundër brutalitetit të policisë.
Sipas Bushatit, të rinjtë historikisht kanë qenë pararojë e ndryshimeve të rëndësishme në Shqipëri. Ai sjell në kujtesë vitin 1990, kur ata ishin të parët që i hapën rrugën ndryshimit, dhe përpjekjet e tyre në 1996, të cilat u injoruan, gjë që çoi në ngjarjet dramatike të vitit 1997.
Prej disa muajsh, vëren Bushati, të rinjtë shqiptarë janë rikthyer në sheshe me një pasion të veçantë që karakterizon brezin e tyre. Ai thekson se ky pasion nuk është gjithnjë i qartë apo i disiplinuar.
Për të, kërkesa e të rinjve për një Shqipëri të re buron nga refuzimi i tyre për të pranuar korrupsionin dhe krimin e organizuar si pjesë të jetës publike; kundërshtimin ndaj personalizimit të pushtetit, dhe modelin e kapitalizmit grabitqar që rrit ndarjet shoqërore, çon në largimin e njerëzve nga vendi e përballje me kosto të larta jetese.
Bushati thekson se injorimi i zërit të të rinjve dhe përpjekjet për t’i përçarë nuk kanë dhënë rezultat. Sipas tij, “Nuk do të funksionojë përpjekja për ti ndarë të rinjtë në të mirë e të këqinj. As gjuha kërcënuese ndaj tyre, prindërve dhe medias. Shkopat e gomës, gazi lotsjellës, uji i hedhur me presion, apo motivimi financiar i policëve nuk e shuan dot revoltën e një brezi që di për shumë skandale dhe jeton mes vështirësive të panumërta. Aq më pak kërkimi i fajtorëve te ‘forcat e huaja’ në një shoqëri europiane, thellësisht pro-amerikane.”
Ai bën thirrje që kërkesave të të rinjve t’u përgjigjen të gjithë aktorët e shoqërisë – mësuesit, prindërit, sipërmarrësit, punëtorët, akademikët – dhe sidomos Partia Socialiste. Bushati thekson se “Partia Socialiste duhet të dallojë atë që i përket një momenti politik nga ajo që i detyrohet Shqipërisë.”

