Deputetja e Partisë Socialiste, Marjana Koçeku, ka ndarë me ndjekësit një lajm që e cilëson si shumë emocionues, pasi revista prestigjioze europiane “Die Zeit” (ZEIT Magazin) i ka kushtuar një reportazh të veçantë nismës “Neomalsore” dhe jetës pranë liqenit të Komanit.
Përmes një postimi publik, Koçeku shprehet se “Neomalsore” nuk ka qenë thjesht një sipërmarrje, por një mënyrë për t’i qëndruar besnike vendlindjes dhe për të treguar se zhvillimi mund të ecë paralelisht me ruajtjen e shpirtit të zonës.
Sipas saj, artikulli i revistës gjermane e përshkruan Komanin si “një ndër vendet më magjepsëse të Shqipërisë”, ndërsa një prej frazave që e ka prekur më shumë ishte: “Ky vend është aq i bukur sa pothuaj dhemb”.
Deputetja thekson se është gjithmonë e veçantë ta shohësh vendin tënd të rrëfyer nga sy të huaj, ku ajo që për banorët duket e zakonshme, për të tjerët shfaqet si një botë e rrallë që ende ka ruajtur autenticitetin e saj.
Koçeku e mbyll reagimin e saj duke u shprehur krenare dhe njëkohësisht emocionale për vlerësimin që i bëhet zonës së Komanit dhe Malësisë shqiptare.
POSTIMI I PLOTË
Jam shumë e lumtun me nda me ju lajmin se nji prej revistave ma të randësishme europiane, Die Zeit @zeit (ZEIT Magazin), i ka kushtue nji reportazh të veçantë nismës “Neomalsore” dhe jetës afër liqenit të Komanit.
“Neomalsore” për mue s’ka kenë thjesht nji sipërmarrje, por nji mënyrë me i qëndrue besnike vendit tem dhe me tregue se zhvillimi nuk duhet me e shkatërrue shpirtin e nji zone.
Me fotografi mahnitëse dhe me nji rrëfim thuejse poetik, artikulli e përshkruen Komanin si “nji ndër vendet ma magjepsës të Shqipnisë”.
Nji tjetër fjali që më ndali gjatë ishte: “Ky vend asht aq i bukur sa pothuej dhemb”.
Asht gjithëherë e çuditshme kur e sheh jetën dhe vendin tand të rrëfyem prej dikujt që shkruen prej larg. Se ajo çka për ty asht krejt e zakonshme, në sytë e dikujt tjetër vjen si nji formë e rrallë bote që ende nuk asht zhdukë.
E kjo më ban krenare dhe emocionale njikohësisht.

