Arrestimi i deputetit bullgar Angel Georgiev më 27 shtator në pikën kufitare me Maqedoninë e Veriut ka shkaktuar tensione të reja mes Shkupit dhe Sofjes.
Georgiev, i cili kryeson Komisionin parlamentar për Politikat ndaj Bullgarëve Jashtë Vendit, kishte planifikuar të marrë pjesë në një seancë dëgjimore që lidhej me procesin gjyqësor të Iva Mihailovës, shtetase me shtetësi bullgare.
Pas njoftimit të incidentit, Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë kërkoi sqarime nga i ngarkuari me punë i Maqedonisë së Veriut në Sofje, duke e cilësuar ndalimin e Georgiev si “provokim”.
Sipas deklaratës së vetë Georgiev, autoritetet kufitare e justifikuan ndalimin e tij me detyrime të papaguara për shpenzimet gjyqësore.
Ndërkohë, rasti i Iva Mihailovës ka marrë përmasa të reja, duke u kthyer në një shqetësim diplomatik mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Iva Mihailova është përfshirë në një proces gjyqësor në Gjykatën Themelore të Koçanit, pas një aksidenti automobilistik në fillim të tetorit 2025, ku një person humbi jetën dhe disa të tjerë, përfshirë edhe Mihailovën, u plagosën.
Sipas Ministrisë së Jashtme të Bullgarisë, Mihailova vuan nga probleme të rënda neurologjike dhe ka kërkuar të vazhdojë trajtimin në Bullgari, por autoritetet maqedonase nuk e kanë lejuar të largohet nga vendi.
Bullgaria ka ngritur çështjen në nivelet më të larta politike dhe diplomatike, duke e konsideruar trajtimin e Mihailovës edhe si problem të statusit të saj dhe të drejtësisë në Maqedoninë e Veriut.
Ndërkohë, Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Layen, pas vizitës në Tiranë do të ndalet në Prishtinë, Podgoricë dhe më pas në Shkup, ku mbeten të hapura edhe çështjet e pazgjidhura me Sofjen.

