Influencerja Dea Michelle ka reaguar publikisht pas debatit të zhvilluar në emisionin e Grida Dumës, ku gazetari Bledi Mane përdori shprehje denigruese ndaj saj. Gjatë emisionit, moderatorja ndërhyri duke i kërkuar Manes të ndalonte gjuhën fyese dhe paralajmëroi se nuk do ta lejonte një komunikim të tillë në studio.
Në një postim në Instagram, Dea shprehet se është ndjerë e zhgënjyer dhe e trishtuar nga fakti që momenti i vetëm i shpërndarë nga emisioni ishte pikërisht ai ku ajo denigrohej.
“Jam e zhgënjyer nga fakti që në një program me kohëzgjatje 1 orë e 22 minuta, highlight-i i vetëm që ti zgjedh të shpërndash është momenti kur unë po denigrohem”, shkruan ajo.
Dea thekson se, ndonëse Grida Duma i kërkoi gazetarit të ndalonte ofendimet, sipas saj ndërhyrja erdhi pasi fyerjet ishin bërë tashmë dhe diskutimi vijoi më tej në studio.
Reagimi i saj vjen pas përplasjes së fortë televizive që ka nxitur debat të gjerë në rrjetet sociale, duke rikthyer në vëmendje raportin e tensionuar mes Dea Michelle dhe Bledi Manes.

