Në ambientet e Bibliotekës Publike “Marin Barleti” në Shkodër është hapur ekspozita historike “Danishi dhe Danuta: Një dashuri shqiptaro-polake”, një udhëtim në jetën dhe historinë e piktorit Danish Jukniu dhe bashkëshortes së tij, mjekes polake Dr. Danuta Kościuszko Jukniu.
Drejtoresha e bibliotekës, Ledia Dushi, u shpreh se kjo ekspozitë nuk është vetëm një prezantim dokumentesh e kujtimesh, por një dëshmi e një historie dashurie dhe përkushtimi që ka sfiduar kohën.
Ekspozita është organizuar në bashkëpunim me Ambasadën e Polonisë në Shqipëri dhe Bashkinë Shkodër. Në të paraqiten fotografi të rralla, dokumente origjinale dhe materiale historike që rrëfejnë historinë e çiftit, nga njohja e tyre në Krakov në vitet ’50 deri te jeta dhe kontributi që dhanë në Shqipëri, veçanërisht në Shkodër.
I Ngarkuari me Punë i Ambasadës së Polonisë në Shqipëri, Wojciech Unolt, tregoi se pas mbërritjes së tij në Shqipëri kishte zbuluar në ambientet e ambasadës një skicë të lidhur me Danish Jukniun, çka i shtoi interesin për historinë e artistit.
Sipas kuratorit të ekspozitës, historianit Xherardo Nikjari, ekspozita është e ndarë në dy pjesë: njëra i kushtohet jetës dhe punës së Dr. Danutës si mjeke në Tiranë dhe Shkodër, ndërsa pjesa tjetër sjell për herë të parë para publikut disa piktura të panjohura të Danish Jukniut.
Edhe nipi i piktorit, Petrit Jukni, kujtoi lidhjen e fortë mes çiftit, duke theksuar se dashuria e tyre arriti t’i përballojë edhe periudhat më të vështira.
Danish Jukniu mbetet një nga emrat më të rëndësishëm të artit pamor shqiptar. I diplomuar në Akademinë e Arteve në Krakov, ai solli frymë moderne në pikturën shqiptare dhe dha kontribut të rëndësishëm edhe si pedagog në Tiranë dhe në Shkollën Artistike “Prenkë Jakova” në Shkodër.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun për 10 ditë.




