Biznesmeni shkodran, Thika kritikon qeverinë: “Mos na kërkoni t’i besojmë ‘BESA-s’, krijoni kushtet që ta verifikojmë”

Publikuar me datë:

Biznesmeni shkodran Alban Thika ka reaguar përmes një statusi publik ndaj qeverisë dhe nismës së saj “BESA”, duke shprehur skepticizëm dhe duke kërkuar prova konkrete për zbatimin e premtimeve.

Thika thotë se ka qenë kritik ndaj qeverisë së Partisë Socialiste që prej ditës së parë, jo për arsye ideologjike, por për shkak të praktikave që, sipas tij, kanë krijuar bindjen se për disa persona pushteti politik është kthyer në një rrugë drejt pasurimit personal dhe jo në një përgjegjësi për t’i shërbyer vendit.

Sipas biznesmenit, qëndrimi kritik ka pasur edhe pasoja për aktivitetin e tij ekonomik. Ai pretendon se biznesi i tij, NOVARIC-International, është përballur me pengesa praktike dhe financiare si pasojë e kundërshtimit të praktikave të qeverisjes së PS-së.

“Megjithatë, kritika e humbet vlerën e saj morale kur bëhet e negociueshme; prandaj kam refuzuar të hesht”, shkruan Thika.

Duke iu referuar “BESA-s”, biznesmeni pyet përse qeveria nuk nis të bindë pikërisht ata qytetarë që kanë qenë kritikë ndaj saj.

Thika kërkon që të bëhet publike një listë me praktikat konkrete që do të zbatohen, emrat e zyrtarëve përgjegjës, afatet e matshme, mekanizmat e mbikëqyrjes së pavarur dhe garancitë që nisma do të vijojë edhe përtej fushatës së ardhshme zgjedhore.

“Na tregoni se si qytetarët do t’i kërkojnë llogari hartuesve të saj kur premtimet të shkelen”, shprehet ai.

Në reagimin e tij, Thika e lidh “besën” me një vlerë tradicionale shqiptare, duke argumentuar se ajo nuk duhet të reduktohet në një slogan politik.

“Besa nuk është slogan politik. Ajo është një virtyt shqiptar, kuptimi i së cilës shkon shumë përtej vetë fjalës — një besëlidhje morale e përcjellë brez pas brezi gjatë shekujve”, shkruan ai.

Në fund, biznesmeni shkodran u drejtohet atyre që kërkojnë besimin e qytetarëve me një mesazh të drejtpërdrejtë:

“Mos na kërkoni t’i besojmë ‘BESA-s’. Krijoni kushtet që të mund ta verifikojmë atë.”

Sipas Thikës, pas një historie ku besimi është thyer vazhdimisht, barra për të provuar se gjërat kanë ndryshuar duhet të jetë mbi ata që kërkojnë sërish besimin e qytetarëve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related