Marrëveshja mes Donald Trump dhe Vladimir Putinit për të furnizuar tregjet botërore me naftë ruse ka shkaktuar një reagim të ashpër nga Bashkimi Evropian, i cili paralajmëroi se heqja e sanksioneve do të rriste të ardhurat e Moskës për të financuar luftën në Ukrainë.
Të shtunën, shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, deklaroi qartë se blloku evropian nuk do të ndjekë politikën amerikane të lehtësimit të kufizimeve. Sipas saj, presioni ndaj Rusisë do të vijojë pa ndërprerje.
“Sulmet ruse kanë vrarë më shumë se 80 civilë ukrainas brenda dy ditësh. Përveç kësaj, Rusia ka intensifikuar sulmet e saj hibride kundër Evropës, si kundër shteteve anëtare të BE-së ashtu edhe kundër aleatëve të NATO-s”, tha ajo në deklaratën e saj.
Kallas u shpreh se pezullimi i sanksioneve për eksportet e naftës ruse do të siguronte Moskës “më shumë të ardhura për të zhvilluar luftë”.
” Kjo nuk është koha e duhur për të lehtësuar presionin mbi Rusinë dhe Evropa nuk do ta bëjë këtë”, theksoi ajo.
Ajo shtoi gjithashtu se ministrat e jashtëm të vendeve të BE-së pritet të miratojnë të hënën një paketë të re sanksionesh ndaj individëve dhe organizatave që mbështesin përpjekjet ushtarake të Rusisë.
Sipas fjalëve të Kallas, ky do të jetë zgjerimi më i madh i listës së personave dhe entiteteve të përfshira në sanksionet evropiane që nga shpërthimi i konfliktit në Ukrainë.
Kjo qasje e Bashkimit Evropian është në kontrast të hapur me vendimin e Uashingtonit për të hequr përkohësisht kufizimet ndaj eksporteve të naftës ruse.
Donald Trump, të premten, bëri të ditur pas një telefonate me Vladimir Putinin se ishte arritur një marrëveshje për furnizimin e tregjeve me sasi të mëdha nafte ruse.
Për realizimin e kësaj marrëveshjeje, Shtetet e Bashkuara do të pezullojnë përkohësisht sanksionet që lidhen me tregtinë e këtij karburanti.
Kjo lëvizje e presidentit amerikan vjen në një moment kur brenda SHBA-së po rritet presioni për shkak të çmimeve të larta të karburantit, të cilat janë kthyer në një sfidë ekonomike dhe politike për administratën.
Me zgjedhjet e mesmandatit që afrohen në muajin nëntor, Trump është në kërkim të mënyrave për të ulur çmimet e karburantit.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian mbetet i vendosur ndaj mbajtjes së presionit ekonomik mbi Moskën, duke paralajmëruar se çdo hap drejt lehtësimit të sanksioneve mund të ndihmojë Rusinë të vazhdojë konfliktin në Ukrainë.

