Biznesmeni izraelit Ron Yeffet është kapur në fotografi gjatë një drekë të zhvilluar këtë të martë me ish-zëvendëskryeministren dhe ish-ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në restorantin Coin, i vendosur në katin e fundit të godinës ABA 21, në Tiranë.
BW ka siguruar pamjet nga takimi, ku pas përfundimit të drekës, Yeffet dhe Balluku (e cila aktualisht është nën hetim nga SPAK për akuza të korrupsionit, shkelje të barazisë në tendera dhe pastrim parash) shihen duke dalë nga ndërtesa dhe më pas duke u larguar me automjetet e tyre private.
Ende nuk ka informacione të sakta rreth arsyeve të takimit apo temave që janë diskutuar gjatë drekës.
Takimi është duke tërhequr vëmendje për shkak të profilit të Ron Yeffet, emri i të cilit ka dalë në disa debate politike dhe mediatike në Shqipëri dhe është konsideruar nga mediat amerikane si një mik i kryeministrit Rama.
Në Shqipëri, Ron Yeffet është bërë i njohur për angazhimin e tij në projekte të industrisë së mbrojtjes, ndërsa emri i tij lidhet publikisht me kompaninë KAYO, e cila është akuzuar për dëbimin forcërisht të gazetarëve nga News24, Balkanweb dhe Panorama, duke uzurpuar godinat e tyre pavarësisht vendimeve gjyqësore.
Më herët, kreu i opozitës Sali Berisha ka bërë të ditur se kryeministri Edi Rama i kishte besuar Yeffet drejtimin e ndërmarrjes shtetërore të naftës, duke e përshkruar atë si tregtar armësh dhe duke pretenduar se kishte lidhje të ngushta me ish-drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.
Për më tepër, emri i Yeffet ka dalë së fundmi edhe në një padi civile të depozituar në Gjykatën e Miami-Dade në Shtetet e Bashkuara. Sipas dokumenteve gjyqësore, biznesmeni amerikan Mark Faist pretendon se është bindur nga Ron Yeffet dhe kompania e tij R&I Trading për të investuar mbi 8.6 milionë dollarë në projekte të pasurive të paluajtshme në New York, bazuar në premtimet për fitime të sigurt dhe mundësinë e tërheqjes së investimit në çdo kohë. Në padi, thuhet se këto premtime nuk janë realizuar dhe se paditësi nuk ka marrë kthimin e investimit.
Nga Ballkan Web

