Elsa Ballauri, në krye të Grupit Shqiptar për të Drejtat e Njeriut, iu drejtua drejtpërdrejt qytetarëve nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, duke bërë akuza të ashpra ndaj Policisë së Shtetit për mënyrën sesi ka vepruar gjatë protestave. Ballauri e karakterizoi ndërhyrjen policore si “absurd dhune” dhe theksoi se janë shkelur rëndë të drejtat themelore të njeriut.
Ajo theksoi angazhimin e organizatave mbrojtëse, të cilat kanë vënë në lëvizje institucionet për të evidentuar aktet e dhunës ndaj grupeve më të cenueshme të shoqërisë:
“U kemi bërë thirrje të gjitha institucioneve për shkeljen e të drejtave të njeriut. Dhuna është diçka që ndihet shumë në protestë. Cënimi i shkeljes së të drejtave të njeriut vjen nga policia drejt protestuesve. Ka pasur dhunë ndaj të miturve, grave, të moshuarve dhe protestuesve paqësorë.”
Ekspertja për të drejtat e njeriut theksoi se policia ka tejkaluar normat dhe protokollet ndërkombëtare për administrimin e protestave, duke përdorur lëndë kimike në mënyrë të pajustifikuar:
“Në momentin që nis një protestë dhe ka një masivitet, policia ka mjetet për neutralizim, por flasim për protesta demokratike. Uji apo gazi lotsjellës, protestuesit duhet të lajmërohen më parë nga policia para përdorimit. Gazi është i tepruar në këtë protestë, por edhe në mënyrë individuale, kemi parë policë që qëllojnë me bombolat e gazit, jo e hedhin, por qëllojnë protestuesit.”
Gjatë përshkrimit të situatave në terren, Ballauri vuri në dukje mungesën e profesionalizmit të forcave të rendit, si dhe sjelljet e dhunshme të shfaqura nëpër zonat e banuara të Tiranës:
“Ata kanë rrahur protestuesit, nuk ka pasur asnjë lëvizje profesionale, ka pasur egërsi prej tyre. Janë sjellë si robotë prej hekuri, si diçka jo njerëzore, jo si sjellja e një policie që supozohet të jetë e trajnuar. Policia i ka ndjekur protestuesit nëpër cepa pallatesh, është një absurd i dhunës.
Burimi News 24

