Tre ditë pas incidentit të rëndë ku Komisariati nr. 3 në Tiranë dhe punonjësit e tij u sulmuan me bomba molotov, policia ka arrestuar Emin Kokalari, 33 vjeç. Ai akuzohet për sulmin e dhunshëm nga i cili mbetën të plagosur dhjetë efektivë të rendit.
Ndërkohë që hetimet vazhdojnë dhe policia ka vijuar me ndalimet dhe mbledhjen e provave, Gjykata e Tiranës ka liruar 22 persona që ishin ndaluar pas trazirave në kryeqytet. Gjyqtari Sokol Shehu vendosi për ta masën “Detyrim paraqitjeje”, ndërkohë që për 36 të tjerë shqyrtimi i masave të sigurisë është ende në proces. Gjatë protestave që sollën dëme ndaj institucioneve shtetërore dhe objekteve të drejtësisë, një pjesë e të ndaluarve po lirohen sipas vendimeve të gjykatës.
Me lirimin e pjesës së protestuesve të akuzuar për akte të dhunës, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve ka reaguar duke shprehur shqetësimin për perceptimin publik. Shoqata thekson se dhuna brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës së Lartë ka dëmtuar dosje gjyqësore dhe ka shkaktuar pasiguri tek punonjësit e drejtësisë. Megjithatë, gjyqtarët e shohin më problematike kritikat publike të kryeministrit sesa aktet e dhunës, duke i cilësuar ato si cenim të funksionimit të drejtësisë.
Magjistratët shprehen se vendimmarrja për protestuesit duhet të mbetet e paanshme, duke theksuar se ligjshmëria dhe proporcionaliteti i masave vlerësohen vetëm nga gjykatat, bazuar në ligj, prova dhe rrethana specifike për çdo rast.

