Rreth 13 gëzhoja të kalibrit 9 milimetra janë sekuestruar si provë materiale në vendin e ngjarjes, ndërsa policia ka marrë në pyetje rreth 20 persona qe ndodheshin në zonë në momentin e atentatit ndaj 44 vjeçarit, Artan Myrtaj, ndërkohë që i plagosur mbeti edhe një kalimtar rasti, 73 vjecari Xhevdet Skëndaj.
Vrasja ndodhi mëngjesin e të dielës, 20 shtator, 100 metra larg komisariatit të Sarandës. 44-vjeçari ka qenë duke ecur në këmbë në rrugë, kur dy persona me motor dhe skafandra në kokë kanë qëlluar me armë zjarri, duke e lënë të vdekur në vend.
Hetuesit po kqyrin edhe kamerat e sigurisë në zonë. Një pjesë e tyre jane hapur dhe po analizohen.
Nderkohë kontrollet vijojnë në akset dalëse të Sarandës ku jane ngritur postblloqe.
Një nga pistat që po verifikohet është ajo e një atentati të kryer nga vrasës me pagesë, ndërsa nuk përjashtohet mindësia që vrasja të jetë pjesë e vazhdimit të konfliktit të nisur pas ngjarjes së korrikut të vitit të kaluar, ku u plagosën me armë zjarri Ernest Lama dhe Gëzim Hajdaraj.

