Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” ka pritur në një vizitë akademike Prof. Valentina Ndou, pedagoge në Universitetin e Salentos në Itali, në kuadër të programit Erasmus+ KA171.
Gjatë qëndrimit të saj në Shkodër, Prof. Ndou u takua me rektoren në detyrë të universitetit, Prof. Dr. Blerta Dragusha, me të cilën diskutoi mbi mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit mes dy institucioneve, rritjen e shkëmbimeve akademike dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta në të ardhmen.
E njohur për kontributin e saj në arsimin e lartë dhe në nxitjen e partneriteteve ndërkombëtare, Prof. Ndou ka luajtur një rol të rëndësishëm në krijimin e urave të bashkëpunimit mes universiteteve shqiptare dhe atyre italiane, duke ofruar më shumë mundësi për studentët dhe stafin akademik.
Përfaqësuesit e Universitetit të Shkodrës e vlerësuan këtë vizitë si një hap pozitiv në thellimin e marrëdhënieve me Universitetin e Salentos.

