Gjysmë shekulli më parë, Age Ndoja veshi për herë të parë kostumin tradicional të zonës së Mirditës.
Asokohe, ishte vetëm 17 vjeçe dhe po martohej. Në vend të vellós, ajo zgjodhi veshjen karakteristike që qenë përdorur brez pas brezi nga nëna, gjyshja dhe stërgjyshja e saj. Sot, kjo traditë mbetet gjallë në familjen e saj.
“Unë këtë veshje e kam vesh kur kam bo 17 vjeç, e kam vesh për herë të parë si nuse, ditën e parë të martesës. Ishte traditë se Mirdita e ka zakon. Edhe njerëzit e mi, mamaja, kunata e të gjithë e kanë veshur. Edhe këtë veshje po e trashëgojmë prapë brez pas brezi, edhe nipave e mbesave do ua trashëgojmë.”
Kjo veshje nuk ishte thjesht një element i dasmës, por shoqëronte çdo moment të ceremonisë martesore. Në kokë, nusja mbante kapucin e zbukuruar, ndërsa duvaku fshihte fytyrën gjatë udhëtimit nga shtëpia e prindërve deri te ajo e dhëndrit.
“Ka edhe një mbulesë ky kapuc që e vendos nusja tek fytyra derisa shkon te burri. Kjo është pjesa e duvakut. E kemi mbulu derisa të shkojmë në oborrin e shtëpisë. Kur arrin nusja tek burri, shkon kunata ose vjehrra dhe i zbulon fytyrën.”
Pesëdhjetë vjet më parë, së bashku me Agen, Leka mori veshjen popullore të burrave të zonës.
“Për mua ka qenë ky lloj modeli, ndërsa burri ditën e dasmës vesh kostum të zi. Kam vesh këtë veshje kombëtare mirditore, s’kam veshur vello.”
Me gjithë kalimin e kohës, këto veshje nuk janë ruajtur vetëm në sënduk. Garderoba e Lekës përfshin ende këmishën, jelekun, brezin dhe pantallonat tradicionale, të cilat i vesh sa herë festohet në familje.
“Këto veshje i veshim në raste gëzimi, në shumë festa i përdorim. Kam bërë datëlindjen e nipit, jam vesh me këtë kostum. Kemi hyrë në lokal bashkë me gruan me këtë veshje, që s’e ndajmë kurrë nga vetja.”
Për Agen dhe Lekën, kostumi nuk është një thjesht kujtim nga e kaluara. Ata e konsiderojnë ende pjesë të identitetit familjar dhe mënyrë për të përfaqësuar rrënjët e tyre.
“Kemi shkuar në shumë evente në Shqipëri me këtë veshje, po edhe jashtë shtetit. Nuk e heqim kurrë këtë veshje, se kjo është tradita jonë.”
Gjatë viteve, çifti ka marrë me vete veshjen tradicionale nëpër aktivitete dhe takime kulturore, duke e përdorur jo vetëm në rastet familjare, por edhe kur u është dhënë rasti të prezantojnë traditat e Mirditës. Edhe pas pesëdhjetë viteve martesë, rrugëtimi i kësaj veshjeje nuk ndalet te ata; ajo do të vazhdojë të transmetohet te fëmijët, nipërve, mbesave dhe brezat në vijim.

