Analisti Genc Burimi ka analizuar zhvillimet politike në Shqipëri, protestat kundër qeverisë dhe sjelljen e kryeministrit Edi Rama, duke bërë krahasime me presidentin serb Aleksandër Vuçiç.
Burimi theksoi se protestat që kërkojnë largimin e Ramës kanë për qëllim, ndër të tjera, të tërheqin vëmendjen e kancelarive të vendeve europiane për situatën në Shqipëri.
Ai argumentoi se mund të vijë një moment kur partnerët europianë të konsiderojnë se mbështetja për qeverinë aktuale të Ramës është më e kushtueshme sesa ndryshimi i saj.
Ndër skenarët e mundshëm, analisti përmendi ushtrimin e presionit ekonomik ndaj qeverisë si dhe ngritjen e çështjeve që lidhen me drejtësinë.
“Autokrati në Beograd ra dhe ky i Tiranës nuk do rezistojë më gjatë. Në Serbi edhe Vuçiç kishte të njëjtën shpresë si Taulant Balla sot. Por kjo protestë në Shqipëri ka në synim jo vetëm Edi Ramën por të nxjerrë nga heshtja edhe kancelaritë europianë. Këto kancelari reagojnë pas dhe jo përpara, pasi reaguan pas për rezultatet e protestave në Serbi. Në një moment të caktuar do bëjë llogari që mbase mbajtja e Edi Ramës në pushtet që po e bëjnë këto kancelari është më e kushtueshme se zëvendësimi i tij dhe si në Serbi, ose do ta vënë Ramën në një embargo ekonomike ose do t’i thonë Ramës e ke dosjen në SPAK. Ose prano negociatën e qeverisë teknike ose do largohesh me pahir, drejt kësaj po shkojmë”, tha ai.
Gjatë intervistës, Burimi theksoi se rënia e Aleksandër Vuçiç është ‘plasaritja e parë’ dhe nënvizoi se Rama aktualisht është pa mbrojtje.
“Rama sot për sot asgjë sd’o sakrifikojë, por sa më shumë do shtohet presioni në rrugë, aq më shumë do lëshojë pe. Me rënien e Vuçiç nisi edhe plasaritja e parë, ra njëra anë e çiftit një element. Rama sot është pa mbrojtje”, tha ai.

