Elton Qyno-Syri.net
Një dosje hetimore që tregon për kapjen e një sasie prej 195 kg drogë në fshatin Voskop të Korçës, jep një tablo të qartë mbi format se si trafikantët rekrutojnë puntorët që kryejnë grirjen e lëndës narkotike, paketimin dhe deri tek ndarja në porcione të vogla, gati për shitje.
Rasti është zbuluar në muajin Tetor 2024 nga Policia e Korçës, por tashmë për këtë ngjarje janë marë të pandehur 8 persona si Santilano Duçi, për akuzën e “Prodhimit dhe shitjes së lëndës narkotike” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Gentjan Guri, është marë i pandehur për “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike” dhe “Falsifikim i dokumentave”. Ndërsa për “Moskallëzim krimi” janë marë të pandehur Anesti Burda, Redjon Hamitja, Migena Matjani alias Meta, Suzana Banushi alias Meta dhe Tatiana Dingelloshi.
Kurse pronari i magazinës Andon Dermishaj, është vënën nën akuzë për “Prodhim dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhje e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”.
Nga materiali hetimor dhe aktet e administruara nga gazetari Elton Qyno, rezulton se në datën 24 Tetor 2024, rreth orës 10:50, nga ana e shërbimeve të policisë të policisë Korçë, është shkuar në fshatin Voskop dhe më konkretisht tek magazina në pronësi e të pandehurit Andon Demirshah, për të cilën disponohej informacion se brenda saj po përpunohej dhe përgatitej për shitje, lëndë narkotike e llojit cannabis sativa.
Pas ndërhyrjes në këtë magazinë dhe nga këqyrja e saj janë konstatuar një sasi materiali bimor në gjendje të thatë e vendosur në thasë plasmasi dhe në kuti kartoni, bimë të dyshuara cannabis sativa të varura në proces tharje, si dhe mbetje, gjethe, kërcej të bimëve te dyshuar narkotike, e llojit cannabis sativa, të cilat paspeshimit me gjithë ambalazhe kanë rezultuar me peshë totale 194.668 kg.
Në këtë magazinë është kapur dhe i pandehuri Gentjan Guri, i cili ishte shpallur në kërkim nga policia e Gramshit për kultim droge. Nga Gramshi ai është larguar për t’ju fshehur kapjes duke u strehuar në Korçë, qytet në të cilin i ishte futur sërisht punës së drogës.
Në dëshminë e tij Gentjan Guri, ka sqaruar se:
”…kam qënë i shpallur në kërkim nga Policia e qytetit të Gramshit për shkak se jam dyshuar për kultivim bimësh narkotike. Jam zhvendosur në Korçë ku më ka kontaktuar një person me emrin “Sabri” dhe më ka kërkuar që unë të kujdesesha për tharjen e disa bimëve narkotike dhe se kundrejt pagesës më ka kërkuar ta beja këtë pune. Kam rënë dakord me atë person për pagesën dhe ai person më ka kërkuar që magazina të merrej me qëra nga unë. Me ka kërkuar kartën e identitetit dhe unë ja kam dhënë. Me ka çuar në kjo magazinë dhe një person tjetër i panjohur prej meje më ka sjellë bimë narkotike dhe me pas ka sjellë 3 gra dhe 2 djem, të cilët nuk i njihja fare. Unë jam marë me pjesën teknologjike për tharjen e bimëve narkotike. Kjo punë ka zgjatur një javë dhe unë jam arrestuar nga policia në magazinë. Në lidhje me pistoletën ajo është pistoletë lodër me gogla plastike. Ndërsa për lejen e drejtimit me emrin “Gentian Laçe”, dua të them se e kam nxjerë para disa vitesh dhe është e falsifikuar dhe e mbaja me vete kohët e fundit, pasi isha në kërkim ku nëse do të hasja ndonjë punonjës policie në rrugë t’ja tregoja…”.
Ndërsa punonjësi tjetër i pandehuri Anesti Burda, gjatë marjes në pyetje ka sqaruar se kishte dalë për kafe dhe është njohur me një person të panjohur me të cilin ka shkëmbyr numrat e telefonit, pasi kishte mbetur pa punë. Një ditë ky person e ka telefonuar dhe i ka thënë a je për punë “Qethje” dhe Burda ka pranuar.
Ndër të tjera në dëshminë e tij, Burda, ka sqaruar se:
“…rreth muajit Prill apo Maj të këtij viti, kisha dalë për kafe të “Pazari i Korçës”. Ndërkohë që isha ulur në tavolinë dhe flisja në telefon me miqtë e mi për punë, një personi, të cilin nuk e njihja, por që ishte ulur në tavolinën ngjitur, i kam kërkuar një çakmak për të ndezur cigaren. Pasi mbylla telefonatën, personi në fjalë, i ulur në tavolinën e tij,më pyeti se çfarë pune bëja. I jam përgjigjur që punoj si bojaxhi në ndërtim. Ai më kërkoi numrin e telefonit dhe më tha se do të më telefononte nëse do të kishte punë për mua. Ja dhashë numrin tim të telefonit dhe për disa muaj nuk dëgjova më për të. As nuk e kam parë në qytet. Kur para disa ditësh, rreth 7 apo 8 ditë më parë, më merr në telefon një numër të cilin nuk e kisha të regjistruar në telefon dhe më thotë: “…Jam Sabriu, ai djali që jemi takuar njëherë në kafe para disa muajsh…”. Më pyeti nëse isha në punë dhe i thashë që “jo”, pasi po merresha me disa gjëra në shtëpi. Sabriu më pyeti nëse doja të punojadhe i thashë:
“…Sa është paga…?”.
“…Është pagë e mirë më tha….”.
E pyeta: “…Çfarë pune është…?” dhe ai mu përgjigj shkurt: “…Qethje…”.
I thashë: “…Në rregull…”, meqenëse isha pa punë.
Më tej ai më tha të dal në orën 11 të natës te taksitë e Bulgarecit, pasi do të vijë dikush për të marrë që të çojë në vendin ku është puna. Para se të mbyll tetelefonin më tha që ta fshija numrin e tij nga telefoni. Pasi mbylla telefonatën, fshiva numrin e tij nga telefoni.
Po atë natë, rreth orës 11, dola në vendin ku më tha Sabriu në telefon dhe aty ka ardhur një makinë, të cilën nuk e kam fiksuar, e cila më çoi te vendi ku do të punoja. Zbrita nga makina dhe me vete kisha edhe dy çanta me sende personale. Te rruga, sapo zbrita nga makina, doli një person, i seksit mashkull, rreth 180 cm i gjatë, i cili më mori njërën nga çantat dhe më tha ta ndjek.
E ndoqa dhe u futëm brenda në magazinë. Ai ndezi dritën sapo u futëm dhe aty pashë edhe fytyrën e tij përherë të parë, pasi jashtë për shkak të errësirës nuk arrita dot ta dalloj. U prezantuam dhe më tha që quhej Genti. U ulëm dhe biseduam rreth punës që do të bëja dhe më tha që do të merresha me “qethjen” e bimëve që ndodheshin aty. Atë ditë punuam rreth një orë dhe u përshëndetëm. Më tregoi vendin ku do të flija dhe bashkë me Gentin u takuam të nesërmen. Dy ditë pasi kisha filluar punë, aty erdhën edhe dy punëtorë të tjerë, një burrë dhe një grua, për të cilët mësova ditët në vazhdim që ishin nga Korça.
Disa ditë më vonë, në magazinë, erdhën për të punuar edhe dy gra të tjera, të cilat ishin familjare të atyre nga Korça. Gjatë kohës që kemi punuar aty, herë pas herë, Genti merrte thasë të rinj me bimë, nga jashtë derës së magazinës dhe i fuste brenda. Unë kam konstatuar thasët me bimë të re brenda në magazinë, por nuk kam parë asnjëherë se kush i linte ato në derën e magazinës….”.

