Rruga “Ali Demi” në Tiranë është kthyer pasditen e kësaj të enjte në makth për drejtuesit e automjeteve dhe banorët e zonës.
Sipas disa pamjeve shihet se betonieret dhe kamionët e tonazhit të rëndë janë rikthyer sërish në qarkullim në mes të ditës, duke bllokuar rrugën dhe duke shkaktuar kaos në një nga lagjet më të frekuentuara të kryeqytetit.
Siç duket nga pamjet, automjetet e tonazhit të rëndë janë vendosur në mes të rrugës, ndërsa makinat e qytetarëve detyrohen të presin me minuta të tëra në trafik.
Sipas raportimeve, levizja e betoniereve është shtuar ndjeshëm së fundmi në këtë zonë, ndërsa vlen të theksohet se po në këtë zonë ndodhet dhe Komisariati numër 1 i Policisë.
E teksa betonieret dhe kamionët bllokojnë rrugën pa respektuar oraret, duke shkaktuar kaos në qarkullim, duket se policia është më e angazhuar me vendosjen e gjobave në rrugicat e lagjes, duke bërë një sy “qorr” për betonieret dhe mjetet e tonazhit të rëndë që pushtojnë rrugët orar pa orar.
Vlen të theksohet se qarkullimi i betonierëve dhe kamionëve të tonazhit të rëndë në zonat e banuara të Tiranës ka qenë një problem i vazhdueshëm. Në shumë raste, ato lëvizin lirshëm në çdo orar të ditës pa marrë parasysh fluksin e trafikut apo shqetësimin që u shkaktohet banorëve.
Megjithatë, mungesa e reagimit nga autoritetet, shton bindjen se rregullat nuk vlejnë njësoj për të gjithë, edhe pse nuk dihet se kush po i rikthen betonieret dhe kamionët në Tiranë, duke bllokuar rrugët dhe duke rënduar qarkullimin e përditshëm.

