Në një takim të zhvilluar më 13 maj 2026 në Bashkinë e Shkodrës, përfaqësues të Shoqata Atdhetare Dukagjini janë pritur nga kryetari i Bashkisë së Shkodrës Benet Beci, ku kanë paraqitur një sërë vlerësimesh, kërkesash dhe shqetësimesh që lidhen me zhvillimin e zonës së Dukagjinit dhe çështje me rëndësi historike e administrative.
Në nisje të takimit, shoqata ka vlerësuar punën dhe angazhimin e kryetarit të bashkisë në shërbim të komunitetit, duke theksuar nevojën për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit institucional në funksion të qytetarëve dhe zonave malore të Shkodrës.
Kërkesat dhe shqetësimet kryesore të ngritura
Pjesa më e rëndësishme e diskutimit është përqendruar në disa çështje konkrete që Shoqata “Dukagjini” i konsideron prioritare:
1. Dokumentimi i pronësisë në Dukagjin
Shoqata kërkon përshpejtimin e procesit të dhënies së certifikatave të pronësisë, duke theksuar se dokumentacioni historik i vitit 1947 ekziston në arkiva dhe duhet të shërbejë si bazë për zgjidhjen e çështjeve pronësore të banorëve.
2. Rruga e Dukagjinit, e paperfunduar….
Një tjetër shqetësim i ngritur lidhet me gjendjen e rënduar të rrugëve në Dukagjin, veçanërisht në aksin që shërben për fshatin Xhan në Njësinë Administrative Pult. Shoqata paralajmëron se mungesa e infrastrukturës rrit rrezikun për banorët dhe vizitorët, sidomos gjatë aktiviteteve përkujtimore me pjesëmarrje të gjerë.
3. Trashëgimia kulturore dhe historike
Është kërkuar evidentimi dhe studimi shkencor i disa objekteve historike në zonë, përfshirë kala dhe vendbanime të vjetra në Shalë, Pult, Kir, Temal dhe Nikaj-Mërturë, si dhe vendosja e tabelave orientuese për zhvillimin e turizmit kulturor.
4. Sqarimi i “Paketës së Maleve”
Shoqata ka kërkuar organizimin e një konference publike për të sqaruar dhe interpretuar “Paketën e Maleve”, duke theksuar se ekzistojnë keqkuptime mbi përmbajtjen dhe zbatimin e saj.
5. Busti i Lekë Dukagjinit
Është rikthyer kërkesa për vendosjen e bustit të Princit Lekë Dukagjini në Shkodër, një projekt që sipas shoqatës është shtyrë prej kohësh dhe mund të realizohet brenda një date simbolike.
6. Dekorimi i Shoqatës “Dukagjini”
Në takim është kërkuar gjithashtu përcjellja e sërishme e propozimit për dekorimin e shoqatës për 23 vite aktivitet të pandërprerë. Sipas tyre, dosja është protokolluar dhe pret shqyrtim institucional.
7. Sinjalistika rrugore dhe emërtimet e rrugëve
Është ngritur shqetësimi për mungesën e etiketimit të disa rrugëve në Shkodër që mbajnë emrat e personaliteteve si Hil Mosi, Marie Shllaku dhe Gjon Shllaku.
8. Trashëgimia arsimore e Kushë Micjes
Shoqata ka kërkuar rivendosjen e pllakës përkujtimore për Kushë Micjen, si dhe propozimin e saj për dekorim shtetëror, duke vlerësuar kontributin e saj në hapjen e shkollës së parë femërore në Shkodër në vitin 1859.
Në përmbyllje të takimit, përfaqësuesit e Shoqatës “Dukagjini” theksuan se qëllimi i këtyre kërkesave është zhvillimi i qëndrueshëm i zonës së Dukagjinit, ruajtja e trashëgimisë historike dhe përmirësimi i kushteve të jetesës për banorët.
Nga ana e saj, Bashkia e Shkodrës pritet të shqyrtojë kërkesat e paraqitura dhe të vijojë komunikimin institucional për zgjidhjen e tyre në vijim.

