‘Korrupsion, klientelizëm dhe…’/ Boçi: Qeveria shet sukses, raportet ndërkombëtare nxjerrin Shqipërinë reale

Publikuar me datë:

Nënkryetari i PD-së dhe deputeti Luçiano Boçi  në fjalën e tij në Kuvend, akuzoi qeverinë se paraqet një realitet të deformuar për vendin përmes raportit të saj mbi integrimin europian, ndërsa sipas tij raportet ndërkombëtare zbulojnë gjendjen e vërtetë të Shqipërisë.

Boçi deklaroi se përballë “raportit propagandistik” të qeverisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian qëndrojnë raporti i Parlamentit Europian dhe ai i Departamentit Amerikan të Shtetit, të cilat, sipas tij, përbëjnë një “akt-akuzë të drejtpërdrejtë” ndaj qeverisë shqiptare.

Sipas deputetit demokrat, këto raporte evidentojnë korrupsion të përhapur në sektorin publik, sistemin e drejtësisë dhe prokurimet shtetërore, duke krijuar pasiguri juridike për investitorët e huaj dhe duke dëmtuar klimën ekonomike në vend.

Në vijim të fjalës së tij, Boçi akuzoi qeverinë për klientelizëm, mungesë drejtësie dhe favorizim të lidhjeve politike në tendera, duke deklaruar se në Shqipëri është më e lehtë të ndërtohen kulla me para të pista sesa qytetarët të marrin drejtësi.

Një pjesë e rëndësishme e kritikave të tij u fokusua edhe te arsimi i lartë, për të cilin tha se ndodhet në krizë të thellë për shkak të mungesës së studentëve, cilësisë dhe investimeve minimale në kërkimin shkencor. Boçi deklaroi se universitetet shqiptare, veçanërisht ato në rrethe, po përballen me boshatisje, ndërsa investimi real për kërkimin shkencor është shumë larg standardeve europiane.

Të nderuar drejtuese, të nderuar deputetë. Këtu kemi dy pamje që na u paraqitën nëpërmjet tre raporteve. Raporti i parë është raporti juaj për anëtarësimin në BE, një raport propagandë enfatik nga fillimi deri në fund dhe raporti tjetër është raporti i Parlamentit Europian dhe raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, që na zbulon atë Shqipërinë e vërtetë, Shqipërinë reale. Nuk është fletë lavdërimi, madje raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit dhe raporti i Parlamentit Europian janë akt-akuzë e drejtpërdrejtë ndaj qeverisë për ato që ato parashtrojnë dhe konkretisht, sipas raportit, akt-akuzë e Departamentit të Shtetit, investitorët e huaj përballen me korrupsion të përhapur dhe të thellë në sektorin publik, në drejtësi dhe prokurime shtetërore.

Dhe kjo është e vërteta, kjo është ajo Shqipëria reale, jo ajo Shqipëria enfatike dhe në këtë Shqipërinë reale ka pasiguri juridike. Në Shqipërinë reale kontratat nuk garantohen sipas raportit të Departamentit të Shtetit. Dhe sistemi gjyqësor vazhdon të perceptohet problematik. Ndërsa ekonomia informale, ajo kriminale dhe pastrimi i parave të evazionit, trafiqeve dhe krimit të organizuar deformojnë tregun dhe kanë kapur prej fyti ekonominë. PPP-të kufizojnë konkurrencën dhe mbi të gjitha Shqipëria reale, thotë raporti, po humbet kapitalin më të madh dhe më të çmuar të saj, që janë njerëzit.

Pra, qartazi dhe prerazi, ndërsa qeveria paraqet sukses, raportet, ai i Parlamentit Europian dhe amerikan i shtetit, shohin frikë, frikë të investitorëve, frikë nga arroganca, frikë nga klientelizmi, frikë nga një shtet që nuk sillet si arbitër i tregut, por si ortak i bandave dhe i një grushti klientësh. Dhe kjo është në të vërtetë drama e Shqipërisë. Dhe ky raport i shkruan qartë skenat e kësaj drame. Dhe në këtë Shqipërinë tonë dramatike ju flisni për drejtësi. Po ju e dini shumë mirë që sot është shumë e lehtë që po, mund të ndërtosh kulla brenda një muaji në Shqipëri me para të pista. Ndërsa atij qytetarit i duhen vite të tëra që të marrë drejtësi.

Dhe kur e merr drejtësinë, në fund ka një letër ku i shkruhet se drejtësia e tij ka ikur në drejtim të paditur. Në Shqipërinë tonë dramatike ka korrupsion, jo siç thonë raportet e këtyre që s’ka korrupsion. Sepse në Shqipërinë tonë dramatike mund të marrësh një tender shumë kollaj, por vetëm nëpërmjet lidhjeve efikase, jo nëpërmjet ofertës më të mirë. Dhe në këtë Shqipërinë dramatike tonën nuk mund të vish edhe të investosh edhe në qoftë se je i huaj, sepse sheh një video turistike me muzikë epike dhe me batuta humoristike të kryeministrit. Sepse e vërteta është ajo që është shkruar e zeza mbi të bardhë në raportin amerikan të shtetit.

Dhe për ta vazhduar të vërtetën dhe e vërteta bëhet akoma më e prekshme kur futesh në vetë-lavdërimet për arsimin e lartë. Kur dëgjon këtu që arsimi i lartë është pajisur me laboratorë, ka programe, projekte për IT-në, të duket sikur Shqipëria është bërë qendër botërore e zhvillimit teknologjik. Në të vërtetë, sot universiteteve shqiptare i mungon cilësia dhe i mungon një gjë fare e vogël, e vockël, do thoshte ministrja e arsimit, i mungojnë studentët. Fare e vogël. Nuk ka studentë, universitetet e rretheve nuk kanë studentë, nuk kanë burime njerëzore. Kjo është pamja e universiteteve tona. Dhe këtu flitet nga ju për kërkim shkencor. Kërkim shkencor kur standardi i BE-së duhet të ishte 3% dhe sa është standardi i BE-së sot në Shqipëri? Ju e shkruani 0.3% edhe këtu mashtroni dhe gënjeni se ju kërkimin shkencor në raport me GDP-në e keni 0.06%. Ky është investimi për kërkimin shkencor. Edhe kërkim shkencor, me kë?

Me Skënder Gjinushin që nuk i dihet ku e ka diplomën? Dhe pamja më reale në fakt e universiteteve dhe e kërkimit shkencor sot e di kush është? Është Shkodra. Për fatin tonë të keq këtu edhe deputetëve dhe ish-kryetares së kuvendit. Sepse pamja e intelektualizmit ka marrë pamjen e Mark Mollës. Mark Molla nuk është personazh që vjen nga romanet e Kadaresë. Jo, është administratori i Universitetit të Shkodrës i zgjedhur në kundërshtim me dëshirën e stafit akademik, të rektorit dhe frymës intelektuale të atij qyteti intelektual. Dhe do të doja të kisha shumë kohë për atë arsimin parauniversitar, të cilit i bëtë dhuratë atë agjencinë e famshme që ja dorëzuat një privati për interesa klienteliste dhe aspak për të rritur performancën e arsimit parauniversitar në Shqipëri. Faleminderit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related