Një letër me përmbajtje të fortë dhe tone kërcënuese po qarkullon në rrjetet sociale, ku një strukturë që e quan veten “Qeveria Teknike e Republikës së Shqipërisë me Kufij Natyrorë”, pretendon se ka marrë drejtimin e vendit dhe i kërkon kryeministrit Edi Rama të largohet nga pushteti brenda shtatë ditësh.
Dokumenti, i datës 6 maj 2026, është firmosur nga Edison Rrapushi, i cili prezantohet si i deleguar i kryeministrit të kësaj “qeverie teknike”, Prof. Pëllumb Pilinci. Në letër thuhet se mandati i qeverisë aktuale “ka skaduar më 11 gusht 2025” dhe se kabineti i drejtuar nga Rama po mban në mënyrë të paligjshme ambientet e Kryeministrisë.
Në përmbajtjen e dokumentit, “Qeveria Teknike” kërkon: lirimin e ambienteve të Kryeministrisë, ndalimin e nxjerrjes së VKM-ve, ruajtjen e arkivës shtetërore, si dhe dorëzimin e çelësave dhe dokumentacionit zyrtar.
Por pjesa më e fortë e letrës është paralajmërimi në fund të saj, ku thuhet se nëse nuk realizohet “transferimi i mandatit”, atëherë do të ndërmerret një “operacion ushtarak i ngjashëm me atë të Venezuelës”, duke aluduar drejtpërdrejt për fatin e udhëheqjes politike në atë vend.
Në dokument përmendet madje edhe “bashkëpunimi me Departamentin Amerikan të Shtetit”, një pretendim që nuk mbështetet nga asnjë fakt apo reagim zyrtar.

