Analisti Florenc Muça ka reaguar lidhur me kallëzimin e bërë në SPAK kundër bashkëshortit të Elisa Spiropalit, i cili është akuzuar për evazion fiskal. Sipas Muçës, rasti në fjalë është kompleks dhe përfshin elementë nga fusha e kronikës dhe politikës, ndërsa ai shprehu vërejtje për mënyrën se si Spiropali ka përzgjedhur të reagojë.
“Drejtori i Tatimeve ka dalë sot dhe ka thënë se jemi kërcënuar dhe shantazhuar nga burri i Spiropalit.
Është një histori e ngatërruar mes politikës dhe kronikës. Disa thonë që Spiropali e ka ditur që do të kishte regjistrim të çështjes në SPAK dhe ka dalë e ka folur në publik, disa thonë se ishte hakmarrje për deklaratat e Spiropalit.
Ajo që nuk kuptoj është si ka mundësi që… Reagimin e fundit nuk e kisha njohur këtë Elisën. Terminologjia ishte e kundërta e asaj që duhet të përdorë një politikane, që duhet të ndërtojë mesazhin e shpresës. Ajo thoshte: ‘Unë jam e pamëshirshme’. Në vend të urave, fliste për mure.
Nuk mund të dalësh në prononcim publik dhe të thuash: ‘Unë i besoj 100 për qind vizionit të Edi Ramës’… A do t’i kushtojë Spiropalit në SPAK kjo përballje me Ramën? Për mua, Rama nuk e ka kontrolluar ndonjëherë SPAK-un”, tha Muça.
