Panik ka përfshirë shkollën e mesme “La Martinière Monplaisir” në Lyon të Francës mëngjesin e së hënës, kur një sërë fishekzjarrësh shpërthyen brenda ambienteve të saj, duke shkaktuar plagosjen e afërsisht 40 nxënësve.
Incidenti ndodhi gjatë pushimit, kur një mjet piroteknik u aktivizua dhe u hodh në sallën e pritjes ku ndodheshin dhjetëra nxënës.
Drejtori i shkollës bëri të ditur se rreth 40 nxënës u paraqitën në infermieri për ndihmë mjekësore. Ata kishin marrë dëmtime të lehta ose ishin në gjendje të tronditur si pasojë e shpërthimit.
Në një njoftim për prindërit, drejtori tha se dy nxënës janë identifikuar si përgjegjës të ngjarjes dhe janë vënë në pranga.
Ngjarja ka nxitur shqetësim të thellë në institucion. “Le Progrès” raporton se mësuesit kanë vendosur të bojkotojnë mësimin në orët e pasdites, duke ushtruar të drejtën e tyre për ndërprerjen e punës.
Kjo nuk është hera e parë që të tilla episode ndodhin në këtë shkollë. Të enjten e kaluar, drejtues të institucionit pësuan lëndime pasi një ose më shumë fishekzjarre u hodhën brenda shkollës.
