Transfertat bankare në vetëm 10 sekonda, merr fund pritja për kalimin e parave nga një bankë në tjetrën

Transfertat bankare ndërmjet institucioneve të ndryshme financiare tani do të realizohen për vetëm 10 sekonda. Një sistem i ri pagesash të menjëhershme është vënë në përdorim me synimin për të thjeshtuar procesin e transaksioneve si për qytetarët ashtu edhe për bizneset. Faza e ardhshme e këtij projekti do të sjellë mundësinë e kryerjes së pagesave edhe në pikat e shitjes.

Ndryshe nga më parë, kur transfertat të tilla bëheshin vetëm brenda të njëjtës bankë apo institucioni financiar, sistemi TIPS Clone është tashmë operacional. Ky sistem u jep mundësinë përdoruesve të kryejnë pagesa të shpejta jo vetëm brenda vendit, por edhe në shtetet e rajonit.

Banka e Shqipërisë është gjithashtu duke zhvilluar një platformë të re për përdorimin e QR Code në nivel kombëtar. Duke gjeneruar dhe skanuar një kod QR me telefonin, konsumatorët do të kenë mundësinë të paguajnë për mallra apo shërbime direkt në vendin ku kryhet shitja.

Përdorimi i sistemit të pagesave të menjëhershme ul ndjeshëm periudhën e pritjes për kreditimin e parave në llogaritë bankare, duke siguruar funksionim të pandërprerë, 24 orë në ditë dhe gjatë gjithë fundjavave.

Me avancimin e fazës së dytë, sistemi i pagesave të menjëhershme (instant payments) do të mundësojë edhe një formë të re për pagesa elektronike në pikat e shitjes.

Sistemi i pagesave të çastit funksionon përmes transferimit të drejtpërdrejtë të fondeve nga llogaria e blerësit te ajo e shitësit, duke siguruar që transaksioni të mbyllet në pothuajse kohë reale.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

Më të lexuara

Lexo edhe