A ka moral Benet Beci të qëndrojë në krye të Bashkisë së Shkodrës, kur SPAK kërkon 2 vite burg për të?

SPAK kërkon 2 vite burg për kryetarin e Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, të konvertuara në 4 vite shërbim prove, për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera. Bëhet fjalë për një procedurë prokurimi me vlerë rreth 700 mijë euro, të zhvilluar në kohën kur Beci drejtonte Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH). Sipas SPAK-ut, në bashkëpunim me gjashtë vartës, dyshohet se janë krijuar avantazhe të padrejta për kompaninë që fitoi tenderin.

Për shkak të gjykimit të shkurtuar dhe uljes me një të tretën të dënimit, SPAK i ka kërkuar gjykatës që dënimi prej 2 vitesh burg të konvertohet në 4 vite shërbim prove, si dhe të vendoset heqja për 5 vite e së drejtës për të ushtruar funksione publike. Një kërkesë kjo që e bën edhe më të fortë pikëpyetjen mbi të ardhmen politike të Becit: nëse vetë SPAK kërkon që ai të mos ushtrojë funksione publike për pesë vite, mbi çfarë morali politik mund të mbështetet pretendimi për të vazhduar drejtimin e Bashkisë së Shkodrës?

Por rasti i Benet Becit ngre një tjetër pikëpyetje, që shkon përtej përgjegjësisë penale dhe lidhet drejtpërdrejt me integritetin e personave që marrin drejtimin e institucioneve publike.

A ka moral një kryebashkiak, ndaj të cilit SPAK kërkon dënim me burg për një çështje që lidhet me administrimin e parave publike, të vazhdojë të drejtojë bashkinë sikur asgjë të mos ketë ndodhur? A është e pranueshme që një zyrtar i zgjedhur të mbajë postin dhe të kërkojë një tjetër mandat, ndërkohë që mbi të rëndojnë dyshime kaq serioze?

Bëhet fjalë për një tender prej rreth 700 mijë eurosh, para të qytetarëve shqiptarë, që sipas hetimeve të SPAK-ut dyshohet se janë administruar përmes një procedure të manipuluar në favor të një kompanie.

Dhe nuk bëhet fjalë thjesht për mangësi dokumentare. Dyshimet lidhen me paracaktimin e fituesit, hartimin e kritereve në favor të një kompanie dhe krijimin e privilegjeve të padrejta në një kontratë publike. Pra, një proces që duhej të garantonte konkurrencë të barabartë, por që sipas prokurorisë dyshohet se ka favorizuar interesa të caktuara.

Nëse këto dyshime provohen në gjykatë, çfarë mesazhi u jepet qytetarëve kur një person me një përgjegjësi të tillë publike vazhdon të jetë në krye të bashkisë?

A mund të kërkojë Benet Beci një tjetër mandat dhe të pretendojë se përfaqëson interesin e qytetarëve, ndërkohë që përballet me një kërkesë për dënim nga SPAK-u?

Edhe sikur dënimi minimal të jetë shërbim prove, a është ky një standard që duhet të pranohet për një kryetar bashkie? A mjafton të mos përfundosh në burg për të ruajtur të drejtën morale për të drejtuar një institucion publik?

Përgjegjësia politike dhe morale nuk fillon dhe mbaron te vendimi i gjykatës. Një zyrtar i zgjedhur duhet të mbajë përgjegjësi edhe për besimin që qytetarët i kanë dhënë.

Shkodra nuk ka nevojë për një kryebashkiak që e trajton detyrën si të drejtë personale, por për një drejtues që garanton integritet, transparencë dhe llogaridhënie.

Pyetja që shtrohet sot është e thjeshtë: A ka ende moral Benet Beci të qëndrojë në krye të Bashkisë së Shkodrës, apo edhe të rikandidojë për një mandat tjetër, nëse përfundon i dënuar qoftë edhe me shërbim prove?

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

Më të lexuara

Lexo edhe