Artisti Robert Aliaj u mbush me emocione gjatë një deklarate ku foli për ngarkesën e tij shpirtërore lidhur me zhvillimet në protestë. Ai nënvizoi se brezi i tij mban përgjegjësi për situatën që u transmetohet të rinjve, duke theksuar se Shqipëria po lë pas një realitet ku të rinjve nuk u mohohet vetëm e ardhmja, por edhe e tashmja.
“Jam i ngarkuar emocionalisht, prandaj dua të flas më shumë emocionalisht sesa racionalisht. Ne kemi gatuar një mizerabël që do ta trashëgojë ky brez dhe edhe unë ndiej përgjegjësi për këtë, sepse nuk e kam përmbushur atë premtim që i kam dhënë vajzës sime në një moment. Të jesh njeri publik është përgjegjësi e madhe, por edhe ky është një zhgënjim i madh. E shoh protestën emocionalisht. Ne po lëmë një vend ku fëmijët tanë nuk e duan këtë vend. Duhet të jemi të ndershëm për këtë gjë dhe ta pranojmë. Jemi mësuar t’i bëjmë lajka sistemit. Ajo që mua më ka zhgënjyer është si ka mundësi që ne nuk kemi arritur, si brez, të distancohemi nga vetja jonë. Nuk shohim veten në pasqyrë dhe as nuk i pranojmë gabimet tona. Këtij brezi po i refuzohet e tashmja, jo më e ardhmja. Ata po bëjnë maksimumin e tyre, por ne nuk po i vlerësojmë, nuk po i ndihmojmë dhe po i shtypim. Shtypja vjen nga ana e qeverisë dhe bëhet në mënyrë të dhunshme”, tha ai.
Në vijim të fjalës së tij, Aliaj kritikoi opozitën shqiptare, duke theksuar se ajo ka humbur besimin e të rinjve, ndërsa bëri thirrje që drejtuesit aktualë të hapin rrugë për figura të reja. Ai deklaroi se PD-ja dhe PS-ja janë shndërruar në struktura pa legjitimitet, dhe se udhëheqësit aktualë pengojnë ndryshimin duke mos u tërhequr nga drejtimi i partive.
“PD-ja dhe PS-ja janë asete, mirëpo kur këto asete kanë ardhur në një pikë që e kanë humbur legjitimitetin. Kur opozita, ka humbur besimin, kapitalin më të madh që ka çdokush në jetë. Opozita nuk po e kupton se ka humbur besimin. Duhet të shkojmë te zhgënjimi për të parë se çfarë e korrupton besimin. Në këtë moment, në PD kemi një lider që nuk e njeh dorëheqjen si koncept, që nuk largohet për t’i hapur rrugë dikujt tjetër. Nuk kam asgjë personale, por po flas me vokacionin e brezit të ri. Brezi i ri nuk do më t’ju shohë dhe nuk keni pse rrini aty kur ata nuk ju duan. Nëse jeni për brezin e ri, duhet t’i hapni rrugë. Jeni bërë bllok. Është sikur të ketë ndodhur një aksident dhe ju rrini aty, pa hapur rrugën. Largohuni, hapni rrugën, çdo gjë zgjidhet. Nuk keni pse ndaloni vrullin e një kombi. Këtë vrull e bllokon mentaliteti anadollak i liderëve shqiptarë. Asnjë lider shqiptar nuk jep dorëheqjen. Unë vij nga Belgjika dhe kam një kryeministër që kërkoi dorëheqjen për herë të katërt në dy vjet, sepse nuk arriti të gjente mirëkuptimin me opozitën për buxhetin. Nuk bëri luftë, nuk u vra njeri, por shkoi te mbreti dhe tha: largohem, nuk e kam bërë dot detyrën”, tha Aliaj.
