Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu po përballet me një nga periudhat më sfiduese të karrierës së tij politike, teksa rivali i tij Gadi Eisenkot është pranë marrjes së mandatit për të formuar qeverinë e re, një zhvillim që e afrohen opozitën me largimin e Netanyahut nga pushteti.
Presidenti Isaac Herzog pritet t’i japë zyrtarisht mandatin Eisenkotit të dielën, pasi ai siguroi mbështetjen e 67 deputetëve nga gjithsej 120 të Knessetit, ndërsa vetëm 46 ligjvënës dolën në mbështetje të Netanyahut. Megjithë këtë avantazh numerik, procesi i ndërtimit të një koalicioni vazhdon të jetë kompleks për shkak të mosmarrëveshjeve të theksuara brenda opozitës, sipas CNN.
Eisenkot, ish-shefi i shtabit të ushtrisë izraelite dhe lider i partisë Yashar, synon të formojë një qeveri kombëtare emergjence duke përfshirë katër partitë më të mëdha opozitare hebraike. Sipas tij, koalicioni duhet të mbështetet në parlament edhe nga partitë arabe, të cilat kanë gjithsej 19 vende, pa qenë të përfshira drejtpërdrejt në kabinet.
Megjithatë, Avigdor Liberman, lider i partisë Yisrael Beiteinu, mbetet një pengesë kryesore. Ai ka përjashtuar fillimisht mundësinë e një qeverie që mbështetet te partitë arabe. Liberman ka paralajmëruar se një qeveri e tillë do të kishte jetë të shkurtër dhe se një dështim do t’i rikthente Netanyahut pushtetin me një bazë më të gjerë mbështetëse.
Si alternativë, Liberman ka propozuar formimin e një koalicioni me partitë ultraortodokse Shas dhe United Torah Judaism, duke lënë jashtë partitë arabe. Megjithatë, kjo bie në kundërshtim me një prej zotimeve kryesore të opozitës: detyrimin për shërbim ushtarak për të gjithë qytetarët, përfshirë edhe meshkujt ultraortodoksë, që aktualisht përjashtohen dhe kërkojnë të mbajnë këto privilegje.
Netanyahu, nga ana tjetër, po tenton të bllokojë çdo marrëveshje politike ndërmjet partive opozitare hebraike dhe atyre arabe. Në një deklaratë publike, ai paralajmëroi se “Izraeli nuk do të mund të mbijetonte nëse vendi drejtohej nga një qeveri minoritare e mbështetur nga këto parti”. Përkundrazi, ai propozoi krijimin e një qeverie uniteti kombëtar të udhëhequr nga Likud.
Eisenkot i refuzoi propozimet e Netanyahut, duke ftuar partinë Likud të shkëputet nga aleatët e ekstremit të djathtë dhe të bashkohet në një qeveri nën drejtimin e tij.
Hapi i parë për opozitën do të jetë të votojë për drejtuesin e ri të Knessetit, me synimin për të zëvendësuar kryetarin aktual, i cili është aleat i Netanyahut. Pas kësaj, Eisenkot do të ketë 28 ditë në dispozicion për të negociuar dhe formuar qeverinë, me mundësinë që ky afat të zgjatet me 14 ditë të tjera.
Nëse Eisenkot nuk arrin të formojë qeverinë, mandati mund t’i kalojë një kandidati tjetër, ndërsa Netanyahu do të vazhdojë të ushtrojë detyrën derisa të konstituohet një qeveri e re.
Eisenkot e përshkroi situatën si një emergjencë kombëtare, duke theksuar se “një kryeministër që nuk ka më shumicën parlamentare nuk duhet të vazhdojë të drejtojë institucionet e sigurisë dhe të zbatimit të ligjit”.
