Berisha kërkon lirimin e protestuesve të arrestuar: Rama nuk arriti të ndalë revoltën studentore!

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një deklarate për mediat, kërkoi lirimin e menjëhershëm të protestuesve të ndaluar pas revoltës studentore.

Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se gabimisht ka besuar se do të shuante protestën, duke theksuar se përllogaritjet e tij ishin të gabuara dhe se nuk do të arrijë sukses.

“Përshëndes përzemërsisht dhe me mirënjohje të thellë ata mijëra e mijëra studentë dhe qytetarë që sot me guximin, trimërinë, vendosmërinë e tyre groposën në koshat e plehrave të Tiranës, dekretet diktatoriale të padrinos, me të cilat ai synonte asgjësimin e revoltës studentore.

Kisha bindjen më të madhe se qytetarët, se studentët dhe studentet, qytetarët e Tiranës do t’u jepnin përgjigjen më të merituar, shpërfilljen totale, hedhjen në kosh të plehrave akteve antikushtetuese, antiligjore, me të cilat Edi Rama mendonte se do mund të gjejë mburojë, mbrojtje, mendoi se do mund të ndalojë protestën.

Jam këtu për të deklaruar se asnjë akt ligjor që vjen në kundërshtim me Kushtetutën, asnjë kufizim i lirive të garantuara nga Kushtetuta dhe Karta Europiane e të Drejtave të Njeriut, asnjë formë gjendje e jashtëzakonshme nuk do të respektohet kurrë nga Partia Demokratike. Por, si të faktuara, këto përpjekje dështuan me turp sot në rrugë dhe sheshet e Tiranës, pasi qytetarët, studentët u bashkuan në një dhe i dhanë përgjigjen më të merituar narkodiktatorit dhe regjimit të tij. Shpreh mirënjohje shumë të thellë për studentët dhe qytetarët, për pjesëmarrjen e tyre të madhe, për trimërinë, rekordet e reja të trimërisë që treguan në përballjen dhëmb për dhëmb me mercenarët e Edi Ramës.
Kërkoj lirimin e menjëhershëm të studentëve dhe qytetarëve të ndaluar në komisariate.
Garantoj çdo student dhe qytetar se gjobat e narkoshtetit do t’u rikthehen atyre me vlerë tre herë më të lartë, por edhe gjobvënësi që vë firmën e tij, do të paguajë shumë shtrenjtë atë firmë që vendos.
U rikujtoj atyre që marrin aktin antikushtetues të firmosjes së firmave, mos kryeni krime të tilla se dhe penalisht mund të ndiqeni, paçka se absolutisht me rrogat tuaja, me të ardhurat tuaja, do të dëmshpërblehen të gjithë ata që keni ndëshkuar.
Sot u faktua se protestuesit, studentët dhe qytetarët në revoltën e tyre paqësore, u provokuan në mënyrë të përsëritur nga policia e cila kryen, vepron me një skenar kriminal ndaj revoltës studentore”, tha ai.

Berisha siguroi studentët dhe qytetarët se çdo gjobë e vendosur nga autoritetet do t’u rimbursohet trefish, për më tepër duke paralajmëruar pasoja edhe për ata që kanë firmosur këto gjoba. Ai paralajmëroi të gjithë zyrtarët të mos kryejnë veprime antikushtetuese, pasi do të duhet të përballen edhe me ndëshkime penale, ndërsa theksoi që çdo qytetar i dëmtuar do të dëmshpërblehet financiarisht.

Përfundimisht, Berisha deklaroi se gjatë protestës së tyre paqësore, studentët dhe qytetarët janë provokuar në mënyrë të përsëritur nga policia, duke akuzuar forcat e rendit se kanë vepruar sipas një “skenari kriminal” ndaj protestës studentore.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

Më të lexuara

Lexo edhe