SPAK ka hapur një çështje penale pas një kallëzimi të dorëzuar më 12 gusht 2025 nga një grup ekspertësh dhe protestuesish. Sipas burimeve, hetimi përfshin disa vepra penale, por deri tani asnjë individ nuk është regjistruar si i dyshuar apo është vënë nën hetim.
Kallëzimi i paraqitur në gusht synon kryeministrin Edi Rama, zyrtarë të tjerë publikë dhe kompani private të përfshira në zhvillime turistike në zonat e Zvërnecit, Rrjollit dhe Divjakë-Karavastasë. Ai mbështetet mbi materialet “The Albanian Files”, ku janë dokumentuar resorte të ndërtuara në zona të mbrojtura, si dhe tek “Dosjet e KKT-së”, një arkiv me 252 vendime të Këshillit Kombëtar të Territorit.
Në kallëzim kërkohet hetim për vepra si shpërdorimi i detyrës, ushtrimi i ndikimit të paligjshëm mbi zyrtarë publikë, korrupsioni pasiv i zyrtarëve të lartë dhe krijimi i një grupi të strukturuar kriminal.
Sipas kallëzuesve, ekziston një skemë e përsëritur ku fillimisht ndryshohet ligji, miratohet një instrument i veçantë planifikimi dhe më pas miratohen lejet nga Këshilli Kombëtar i Territorit, organ i drejtuar nga kryeministri.
Kallëzimi vë në qendër të hetimit projektet në Baks-Rrjoll, Divjakë-Karavasta dhe Zvërnec, por kërkohet që verifikimet të shtrihen edhe përtej këtyre tre rasteve.
