Në mbrëmjen e së premtes, një shqiptar 36-vjeçar u plagos rëndë nga armë zjarri në Kolonos, Athinë.
Incidenti u regjistrua në rrugën Lenorman, afër numrit 197. Sipas të dhënave fillestare, pak pas orës 20:30, një banor lokal alarmoi policinë pas dëgjimit të të shtënave.
Policia mbërriti shpejt në vendngjarje, ku konstatoi dy gëzhoja. Viktima shqiptare u gjet brenda një makine me plagë të rënda në bark.
Informacionet e fundit njoftojnë se 36-vjeçari është qëlluar në sheshin pranë kishës së zonës, duke arritur të vrapojë deri te automjeti i tij, i parkuar rreth 150 metra larg vendit ku u plagos.
I plagosuri u dërgua me ambulancë të shërbimit të urgjencës EKAB në spitalin Attikon, ku po trajtohet nga mjekët. Për momentin, nuk dihet më shumë për gjendjen e tij shëndetësore. Policia ka shoqëruar dy persona dhe po i merr në pyetje lidhur me ngjarjen, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të zbuluar motivet dhe detajet e atentatit.
