Që nga orët e para të mëngjesit të së premtes, Shërbimi i Shpëtimit Detar të Spanjës ka ndërhyrë për të shpëtuar 854 emigrantë që udhëtonin me shtatë varka të vogla pranë ishullit të Kanarisë, El Hierro. Të gjithë mjetet lundruese u drejtuan drejt portit La Restinga, në komunën El Pinar, ku të mbërriturit iu nënshtruan kujdesit mjekësor.
Prej tyre, 350 persona janë transferuar në Tenerife nëpërmjet linjës së rregullt të tragetit gjatë mëngjesit. Për të ulur mbingarkesën në qendrat e pritjes në El Hierro, autoritetet spanjolle pritet të zhvendosin edhe 350 emigrantë të tjerë.
Disa nga emigrantët e shpëtuar u dërguan në spital për trajtim. Në Spitalin Nuestra Senora de los Reyes vazhdojnë të jenë të shtruar nëntë persona të cilët mbërritën në El Hierro me varka të ndryshme gjatë ditëve të fundit, duke pasur probleme të ndryshme shëndetësore.
Operacioni i së premtes përfshiu tre anije të shpëtimit. Ndërhyrja e parë ndodhi katër milje larg nga porti La Restinga, në vendin ku u gjet varka e parë.
Anijet e tjera vijuan të mbërrijnë gjatë gjithë mëngjesit në orare të ndryshme. E dyta mbërriti në ora 4:45 të mëngjesit me 174 të sapoardhur, ndërsa vetëm 15 minuta më vonë u ankorua edhe varka e tretë me 166 persona në bord.
Varka me më shumë pasagjerë mbërriti rreth orës 8:30 të mëngjesit, duke sjellë 235 emigrantë. Rreth orës 9:00, një tjetër varkë solli 54 persona në breg, ndërsa anija e gjashtë u ankorua rreth orës 10:15 të mëngjesit me 39 vetë. Varka e fundit arriti në portin La Restinga në orën 12:30 të mesditës me 52 pasagjerë të tjerë.
Burime nga shërbimet shëndetësore dhe të emergjencës kanë bërë me dije se të gjithë udhëtarët e këtyre shtatë varkave vijnë nga zona e Afrikës Subsahariane. Shumica ishin burra, por mes tyre kishte edhe gra dhe të mitur.
