Greqia është tronditur nga një ngjarje e rëndë, ku një grua 52-vjeçare është dënuar me 15 vite burg të pakushtëzuar, pasi u shpall fajtore për abuzim seksual dhe shfrytëzim të vajzës së saj 9-vjeçare. Gjykata e Përzier e Krimeve të Rënda në Larisa vendosi të mos i japë asnjë rrethanë lehtësuese të pandehures.
Ngjarja doli në dritë në korrik 2025, kur autoritetet arrestuan të dyshuarën dhe e vendosën në paraburgim. Gjatë gjykimit, ajo pranoi fajësinë, duke argumentuar se kishte vepruar nën drejtimin e një personi tjetër dhe për shkak të problemeve të theksuara financiare.
Raportimet e mediave greke tregojnë se vajza jetonte në kushte ekstreme, pa energji elektrike apo ujë të pijshëm, teksa përballej edhe me probleme të mëdha shëndetësore. E ëma nuk arrinte t’i siguronte as ushqimet bazë të nevojshme.
Në vitin 2022, 52-vjeçarja e dërgoi të bijën në një institucion social, duke u shprehur se nuk mund të përkujdesjej më për të. Pas kësaj, organizata bamirëse ndërhynë me mbledhje fondesh që vogëlushja të rikthehej në banesë. Sipas të dhënave të çështjes, abuzimi nisi pikërisht më pas.
Gjatë një deklarate për mediat greke në janar 2022, gruaja rrëfeu vështirësitë ekonomike që po përjetonte, përfshirë borxhin prej 10 mijë euro ndaj kompanisë së energjisë elektrike dhe 2 650 euro të tjera ndaj ndërmarrjes së ujësjellësit. Ajo tha se kishte mundësi të punonte nga shtëpia si rrobaqepëse për të qenë pranë vajzës së saj.
Sipas dokumenteve gjyqësore, nëna kishte kryer akte seksuale me vajzën e mitur, duke i filmuar momentet dhe më pas duke shitur materialet pornografike të krijuara. Gjatë hetimit, policia gjeti të paktën 17 fotografi me përmbajtje seksuale eksplicite, ku shfaqeshin të dyja.
Gruaja 52-vjeçare u përball me akuza për prodhim, shpërndarje, ofrim, sigurim dhe posedim të materialeve pornografike që përfshijnë fëmijë, si dhe për kryerje marrëdhëniesh seksuale me të mitur nën moshën 12 vjeç e për marrëdhënie seksuale mes të afërmve të drejtpërdrejtë. Sipas dosjes, këto veprime ishin të përsëritura.
