Sulme kibernetike ndaj frigoriferëve që alarmuan Europën, si e prishin ushqimin hakerët nga distanca, mënyrat e mbrojtjes

Një formë e re dhe shqetësuese e sulmeve kibernetike po kërcënon sigurinë ushqimore në Europë. Hakerat po arrijnë të depërtojnë në sistemet elektronike të kontrollit të frigoriferëve dhe ngrirësve, duke ndryshuar nga distanca temperaturën dhe duke shkaktuar prishjen e produkteve ushqimore.

Në Greqi janë identifikuar më shumë se 300 sisteme të ekspozuara në internet, të cilat mund të bëhen objekt i sulmeve të tilla. Raste të ngjashme janë raportuar në Athinë, Artë, Janinë, Prevezë dhe Kretë, ndërsa shqetësimi është shtuar pas ndërhyrjeve në sistemet e ftohjes së disa bizneseve.

Ndryshe nga sulmet tradicionale kibernetike, ku synohet vjedhja e të dhënave apo përfitimi financiar përmes kërkesave për shpërblim, në këto raste ndërhyrja konsiston në ndryshimin e parametrave të temperaturës. Si pasojë, produktet mund të shkrihen, të prishen dhe më pas të bëhen të papërshtatshme për konsum.

Hakerat nuk kanë nevojë të hyjnë fizikisht në një supermarket, magazinë apo ambient tregtar. Mjafton të sigurojnë akses në sistemin elektronik që kontrollon instalimet frigoriferike për të ndryshuar temperaturën e funksionimit. Eksperti i sigurisë në internet, Nikos Vasilakos, në një prononcim për “Newsbomb”, paralajmëron se kjo formë sulmi mund të shkaktojë jo vetëm dëme ekonomike për bizneset, por edhe pasiguri dhe shqetësim te konsumatorët.

Sipas tij, rreziku qëndron edhe te fakti se shumë pajisje dhe instalime që lidhen me internetin për lehtësi menaxhimi nuk mbrohen me të njëjtin nivel sigurie si kompjuterët.

Çfarë duhet të kenë kujdes konsumatorët?

Eksperti u bën thirrje qytetarëve të mos krijojnë panik dhe të mos kryejnë blerje masive, por të tregojnë kujdes gjatë përzgjedhjes së produkteve të ngrira. Konsumatorët këshillohen të shmangin produktet kur vërejnë:

Ushqime të ngrira që janë ngjitur me njëra-tjetrën dhe kanë formuar një masë të vetme. Ambalazhe të deformuara ose shenja të tjera që mund të tregojnë shkrirjen dhe ngrirjen e përsëritur të produktit. Këto mund të jenë tregues se zinxhiri i ftohjes është ndërprerë dhe produkti nuk duhet blerë.

Vëmendje e veçantë u kërkohet edhe bizneseve që përdorin sisteme frigoriferike të lidhura me internetin. Ato duhet të kontrollojnë se cilët persona kanë akses nga distanca në pajisjet e tyre dhe të verifikojnë nivelin e sigurisë së instalimeve.

Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike në Greqi ka paralajmëruar për rëndësinë e shkëputjes së sistemeve të ftohjes nga interneti publik, në mënyrë që të shmanget aksesi i paautorizuar.

Deri më tani nuk ka një grup që të ketë marrë përgjegjësinë për sulmet dhe nuk janë konfirmuar prova që ato synojnë vjedhjen e të dhënave apo përfitimin financiar. Janë ngritur edhe dyshime për përfshirjen e grupeve të organizuara, por nuk ka prova që të konfirmojnë lidhje të mundshme me shtete si Rusia apo Kina.

Ekspertët paralajmërojnë se kjo metodë mund të përsëritet, ndaj forcimi i sigurisë kibernetike në sistemet e ftohjes shihet si një domosdoshmëri për bizneset dhe mbrojtjen e konsumatorëve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

Më të lexuara

Lexo edhe