Një punonjës i Forcave të Armatosura u plagos pasditen e së martës në Bazën Ajrore të Kuçovës, pasi u qëllua me armën e tij të shërbimit. Incidenti ndodhi më 3 nëntor, rreth orës 16:46, gjatë kohës kur ushtaraku ishte në detyrë.
Ministria e Mbrojtjes konfirmoi se efektivi, i identifikuar me inicialet E.D., pësoi një plagë në shpatull. Ai mori menjëherë ndihmën e parë në vendngjarje dhe më pas u transportua për trajtim në Spitalin Rajonal të Beratit.
Sipas informacionit të dhënë nga mjekët, gjendja e tij shëndetësore është stabile, me parametrat jetësorë të qëndrueshëm, dhe nuk rrezikon jetën. Pas trajtimit fillestar, efektivi u dërgua drejt Spitalit Universitar të Traumës në Tiranë për kujdes të mëtejshëm.
Ndërkohë, Policia Ushtarake ka shkuar në bazë, ku vijon hetimet për të dokumentuar incidentin dhe për të sqaruar shkaqet dhe rrethanat e plagosjes.
