Në mjediset historike të Kalase Rozafa, arti dhe mesazhet për mbrojtjen e natyrës u bashkuan në ekspozitën “Kur muret flasin”, të piktoreve Teuta Lagja dhe Kaltrina Hoti. Përmes tablove artistike dhe instalacioneve të realizuara me materiale të riciklueshme, ekspozita solli një qasje ndryshe mbi ndërgjegjësimin mjedisor dhe lidhjen e artit me trashëgiminë kulturore.
Veprat e prezantuara përcollën mesazhe të forta mbi ruajtjen e peizazhit natyror, mbrojtjen e mjedisit dhe rëndësinë e përfshirjes së komunitetit në nisma ekologjike e kulturore, duke e kthyer kalanë në një hapësirë reflektimi dhe komunikimi përmes artit.
Ekspozita u organizua në kuadër të aktivitetit Netët e Kështjellave, një iniciativë që bashkon fortesat, muzetë dhe sitet historike në mbarë Europën, duke promovuar trashëgiminë kulturore përmes aktiviteteve artistike dhe edukative.
Ekspozita tërhoqi interesin e qytetarëve dhe turistëve, të cilët vizituan ambientet e kalasë për të ndjekur nga afër këtë ndërthurje të artit bashkëkohor me historinë dhe natyrën.
#portalishkodres #kulture

