Krasniqi: Arlinda Zekaj la prova për gjithçka, por një rrjet bllokoi zbatimin e vendimit të gjykatës

Publikuar me datë:

Gazetari Vullnet Krasniqi ka diskutuar rastin tragjik të vrasjes së Arlinda Zekajt, e cila u vra nga kunati i saj, pavarësisht kërkesave të përsëritura që kishte bërë për mbrojtje tek institucionet përkatëse. Sipas Krasniqit, viktima kishte dokumentuar në mënyrë të detajuar të gjitha përpjekjet për të siguruar ndihmë, duke iu drejtuar organeve komunale, policisë, prokurorisë dhe gjykatës, por asnjë institucion nuk arriti ta mbrojë.

“Rasti ka nxitur një revoltë të re qytetare në Kosovë që nuk është parë më herët, një revoltë e re qytetare e cila është e paprekur politikisht deri më tani. Është pak e trishtë që është dashur një tragjedi e tillë e madhe për të krijuar këtë por megjithatë është dokumentimi më eklatant që i ka bërë një viktimë e dhunës në familje të gjithë shtetit. Viktima ka dokumentuar prej zyrave komunale që merren me fëmijët dhe me gratë, tek Policia e Komunës, tek Kryeprokuria, tek Gjykata, tek Inspektoriati ,tek hetuesit, tek Ministria. Domethënë ajo e ka kryer punën e ka dokumentuar”, tha Krasniqi.

Krasniqi theksoi se tashmë është thelbësore të zbardhen raportet ndërmjet individëve dhe institucioneve në Pejë, që sipas tij, kanë lejuar moszbatimin e një vendimi të gjykatës dhe kanë çuar që viktima të rikthehej në shtëpinë e autorit të krimit.

“Tani, në të gjitha kë dosjet që unë i kam lexuar gjithë dëshmitë që janë dhënë. Ajo e ka kuptuar shumë mirë me çfarë shteti është duke u ballafaquar. E ka kuptuar shumë mirë me çfarë njerëzish ka të bëjë, i ka kuptuar dhe lidhjet. Detyrën që ne na ka lënë është ne ta zbërthejmë, edhe si gazetarë por dhe si shtet me zbërthy kush janë këta, ky rrjet i njerëzve në Pejë që munden me u bë të gjithë së bashku edhe mos me ja lënë një gruaje me zbatu një vendim që e ka dhënë gjykata. Kush janë ky rrjet kriminal që e çojnë viktimën tek shtëpia e vrasësit, që nuk e largojnë uzurpatorin prej asaj shtëpie. Kush janë ky rrjet kriminal që vendosen me zbatu kanunin e traditën e nuk vendosen me zbatu detyrën kryesore që e kanë ekzekutimin e vendimeve gjyqësore

Këto pyetje sado provinciale që tingëllojnë kjo është realiteti jonë. Qeveria e Kosovës, kryeministër Kurti duhet ta kuptojë këtë mentalitet. Nuk është e lejueshme që neve të na paraqitet sistemi i drejtësisë si një sistem paralel, si një shtet paralel në të cilin ne s’ paskemi asnjë lloj fuqie”, shtoi gazetari Krasniqi.

Ai vuri në dukje gjithashtu se ngjarja ka sjellë një valë të re protestash dhe pakënaqësie qytetare në Kosovë, e cila deri tani nuk është ndikuar nga politika. Krasniqi iu drejtua kryeministrit Albin Kurti për të theksuar rëndësinë që ai të njohë sfidat reale me të cilat përballen gratë dhe të garantojë sigurinë e tyre.

“Zoti Kurti duhet të ketë parasysh këtë, ai nuk është kryeministër që do të shtrijë sovranitetin. Ai është kryeministri që ne të na ofrojë siguri, edhe grave me i ofru siguri të cilat nuk kanë mundësi. Arlinda Zekaj ka pasur të drejtë pronësie. Kujtoj që shumica e grave në Kosovë nuk kanë as pronësinë e shtëpisë së tyre. Ajo ka pasur vend pune, shumica e grave në Kosovë nuk i kanë asnjë vend pune Ajo ka ditur çfarë të shkruajë. Ajo ka ditur çfarë është kryeprokurorja. Në Kosovë, gratë shumica nga fshatrat nuk e dinë as prokuroria çfarë është, as inspektoriati. Po ato ku të drejtohen? Kush i mbron? Është një pyetje që duhet ti përgjigjet Albin Kurti”, tha ai.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related