Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, pati një reagim të ashpër ndaj një gazetari të agjencisë Reuters, pasi u pyet lidhur me gjendjen e tij shëndetësore dhe vendimin për të mos vizituar Kansasin, në prag të zgjedhjeve të mesit të mandatit që zhvillohen më 3 nëntor.
Trump, përballë kamerave dhe prania e mediave të tjera, iu kthye gazetarit me tone të ngritura, pas pyetjes nëse anulimi i vizitës lidhej me ndonjë problem shëndetësor.
“Je i sëmurë! Shtrihu, je i neveritshëm, dukesh absolutisht i tmerrshëm! Për kë punon?”, i tha Trump.
Kur gazetari sqaroi se ishte pjesë e Reuters, presidenti amerikan nuk kurseu as agjencinë e lajmeve, duke e quajtur atë “të tmerrshme”.
“Shikojeni këtë njeri, është krejtësisht i patrajnuar”, vijoi Trump.
Pas këtij incidenti, gjatë një deklarate të mëtejshme për gazetarët, presidenti argumentoi se kishte vendosur të mos shkonte në Kansas sepse ndihej mjaft mirë dhe po përgatitej të merrte pjesë në një ngjarje televizive të fushatës.
“Nesër do të shkoj në Florida. Pasi të kem bërë – sa? – 28 tubime? Ai më pyet: ‘Cila është arsyeja, zotëri, që nuk do të shkoni në Kansas?’ E dini cila është arsyeja? Nuk ndiej se duhet të shkoj në Kansas”, deklaroi Trump.

