Gjykata e Valadolidit në Spanjë do të nxjerrë javën e ardhshme para trupit gjykues katër persona me origjinë shqiptare, të dyshuar si pjesëtarë të një organizate të specializuar në vjedhjen me forcë dhe me hyrje nga dritaret e çative në banesa të banuara, si dhe në falsifikimin e dokumenteve zyrtare. Prokuroria kërkon për ta një sërë dënimesh që në total arrijnë në 78 vite burg. Për tre prej tyre kërkohen dënime individuale që arrijnë në 18 vite burg, ndërsa për të katërtin kërkesa shkon deri në 24 vite burg.
Çështja penale është ngritur ndaj Mateo S., Florjan P. dhe Ardian B., i njohur me nofkën “Pelao”, për të cilët Prokuroria kërkon dënime prej 18 vitesh burg për dy vepra penale të vjedhjes së përsëritur në banesa të banuara dhe dy vepra të falsifikimit të dokumenteve, si dhe gjoba në vlerën 4.320 euro. Dënimi rëndohet në rastin e Renato I., i njohur me nofkën “El Barbas”, për të cilin akuza publike kërkon gjithsej 24 vite burg dhe të njëjtën gjobë, pasi i shtohet edhe një vepër tjetër e falsifikimit të dokumenteve, për shkak se iu gjetën karta identiteti të falsifikuara.
Në aktakuzën e prokurorit, të publikuar nga Europa Press, thuhet se katër të akuzuarit, së bashku me të pandehurin Klaudio P. dhe Elvis T. – person nën hetim, i cili aktualisht ndodhet në një institucion penitenciar në Gjermani – ishin pjesë e një rrjeti të organizuar për kryerjen e planifikuar të grabitjeve në banesa në zona të ndryshme të territorit kombëtar.
Anëtarët e grupit kishin baza të marra me qira në rrugët Orgues dhe Agullers të Barcelonës, nga ku organizonin lëvizjet jashtë Katalonjës gjatë muajve mars-maj 2025, për të kryer vjedhjet.
Operacioni i Mossos dhe Gardës Civile
Sipas hollësive të hetimit policor, të koordinuar mes Mossos d’Esquadra dhe Gardës Civile, të pandehurit vepronin sipas një mënyre shumë të mirëllogaritur: niseshin tre deri në pesë ditë përpara çdo grabitjeje, flinin të fshehur në zona pyjore pranë banesave të pabanuara që kishin përzgjedhur paraprakisht si objektiva dhe përdornin automjete të regjistruara në emër të personave të tretë, të cilave u vendosnin targa të dyfishta për të vështirësuar ndjekjen nga policia. Pasi kryenin çdo grabitje, duke kapërcyer mure dhe duke thyer dyer ose dritare, ktheheshin për t’u fshehur mes bimësisë, derisa siguroheshin se forcat e policisë ishin larguar nga banesat e bastisura.
Grabitjet e dokumentuara në dosjet gjyqësore janë kryer në provincat Valadolid, Pontevedra dhe Ourense. Ndërkohë, policia rajonale katalanase ka zgjeruar hetimet edhe për banesa në Madrid, si dhe për një duzinë vjedhjesh të tjera në pjesë të ndryshme të vendit.
Në territorin e Valadolidit, akuza përshkruan një vjedhje të parë të kryer më 14 mars 2025, mes orës 20:00 dhe 20:30, në një banesë në kompleksin rezidencial El Burgo, në territorin e komunës Olmedo. Të pandehurit hynë pasi shqyen me forcë derën e oborrit ngjitur me banesën dhe vodhën një zarf me 500 euro para të gatshme, si dhe disa bizhuteri – mes tyre dy orë të markës Emporio Armani dhe sende prej ari – me vlerë të përcaktuar nga ekspertiza prej 1.135 eurosh. Ata kishin mbërritur nga një shtëpi rurale në Traspinedo me një automjet të bardhë, me targa të dyfishta.
Vetëm 24 orë më vonë, pasditen e 15 marsit 2025, ata kapërcyen gardhin e jashtëm dhe thyen derën e pasme të një shtëpie në rrugën Avenida Cruz Roja, në Peñafiel (Valadolid), nga ku vodhën medaljone, unaza dhe byzylykë ari me vlerë 1.750 euro, duke përdorur të njëjtin automjet.
Veprimtaria kriminale vijoi më 23 maj 2025 në provincën Pontevedra, ditë kur të akuzuarit u nisën nga Barcelona me një automjet të errët, gjithashtu me targa të dyfishta. Fillimisht, ata kapërcyen një mur rrethues 180 centimetra të lartë për të hyrë në një banesë në Nespereira-Pazos de Borbén, ku shkulën një radiator, thyen dritaret prej alumini dhe vodhën bizhuteri, telefona, kompjuterë dhe para.
Një pjesë e madhe e sendeve të vjedhura, ku përfshiheshin ora të markave luksoze si Hublot, Tag Heuer, Certina dhe Bulgari, si dhe shumë varëse ari, me vlerë të përgjithshme 16.285 euro, u gjetën të fshehura në parkingun e jashtëm pranë Spitalit Universitar të Bellvitge, në L’Hospitalet de Llobregat (Barcelona).
Po atë natë, ata tentuan pa sukses një tjetër grabitje në Louredo-Mos, duke kapërcyer një gardh dy metra të lartë në rrugën San Antoiño. Ata dëmtuan hyrjet, por nuk arritën të vidhnin asgjë. Disa ditë më parë, mes 21 dhe 26 majit, grabitësit kishin thyer një dritare të një shtëpie në Veiga Grande-Feás, në territorin e komunës Boborás, në provincën Ourense, prej nga kishin marrë 100 euro para të gatshme.
Arrestimet u kryen më 28 maj 2025, me urdhër të gjykatës. Gjatë kontrolleve në apartamentet e Barcelonës, agjentët sekuestruan 5.000 euro para të gatshme, bizhuteri, ora dhe dokumente të ndryshme të falsifikuara.

