Shkodra nga perlë turistike në kosh mbetjesh/ Benet Beci hap dyert për 21 bashki

Publikuar me datë:

Shkodra, një prej qyteteve me potencialin më të madh turistik në Shqipëri, rrezikon të marrë një tjetër rol në hartën e vendit. Atë të destinacionit ku do të përfundojnë mbetjet e 21 bashkive, nga veriu në jug.

Në vend që Shkodra të promovohet për pasuritë natyrore, liqenin, trashëgiminë kulturore dhe potencialin turistik, projektbuxheti i vitit 2027 parashikon që ajo të kthehet në pikën fundore të mbetjeve të një territori që përfshin afro një të tretën e Shqipërisë.

Dhe në këtë mes, një pyetje kërkon përgjigje nga kryebashkiaku Benet Beci. Cili është vizioni i tij për Shkodrën?

Një qytet që tërheq turistë dhe investime, apo një territor ku do të depozitohen mbetjet e bashkive të tjera?

Sipas projektbuxhetit 2027, drejt zonës së menaxhimit të mbetjeve Shkodër do të orientohen jo vetëm bashkitë e veriut, por edhe ato të qarqeve Elbasan dhe Fier, disa prej të cilave ndodhen qindra kilometra larg.

Të dhënat tregojnë se 34.4% e bashkive të vendit, që përfaqësojnë rreth 33.5% të territorit kombëtar, do të depozitojnë mbetjet në zonën e menaxhimit të Shkodrës. Për këtë qëllim, ato do të përfitojnë financime shtesë nga buxheti i shtetit për transportin e mbetjeve.

Pra, Shkodra nuk do të përballet vetëm me mbetjet e territorit të saj, por do të marrë përsipër edhe mbetjet e një pjese të konsiderueshme të Shqipërisë.

Benet Beci dhe institucionet përgjegjëse duhet të sqarojnë se çfarë përfiton Shkodra nga ky plan, çfarë pasojash do të ketë dhe si do të garantohet që qyteti të mos paguajë me mjedisin dhe imazhin e tij koston e mbetjeve të gjithë Shqipërisë.

Përtej pasojave të mundshme mjedisore, ky organizim ngre pikëpyetje të mëdha edhe për kostot e transportit. Mjafton të shihet distanca që duhet të përshkojë një kamion nga Librazhdi apo Përrenjasi drejt Shkodrës. Një udhëtim që, për shkak të trafikut të rënduar, mund të kthehet në një kalvar orësh në rrugët e Elbasanit, Tiranës dhe Lezhës.

Kosto që në fund do të rëndojnë mbi financat publike, ndërsa logjika e këtij organizimi mbetet për t’u shpjeguar.

Sipas planit të qeverisë, në zonën e menaxhimit të mbetjeve Shkodër janë përfshirë 21 bashki, që shtrihen në rreth 9,625 kilometra katrorë, ose afërsisht 33.5% të territorit të Shqipërisë.

Në grupin e parë bëjnë pjesë bashkitë Malësi e Madhe, Shkodër, Vau i Dejës, Pukë, Fushë-Arrëz, Lezhë dhe Kurbin.

Por lista nuk ndalet këtu. Në të janë përfshirë edhe Librazhdi, Elbasani, Rrogozhina, Peqini, Cërriku, Belshi, Përrenjasi dhe Gramshi, të cilat sipas dokumentit do të financohen për transportimin e mbetjeve drejt Shkodrës.

Të njëjtin destinacion kanë edhe bashkitë Fier, Lushnjë, Roskovec, Patos, Divjakë dhe Mallakastër.

Kështu, nga veriu në Shqipërinë e Mesme e deri në jug, mbetjet e dhjetëra qyteteve do të kenë një adresë të përbashkët: Shkodrën.

Ndërsa qyteti përpiqet të pozicionohet si destinacion turistik, projekti ngre pikëpyetje serioze për të ardhmen e tij mjedisore, ekonomike dhe turistike. Sepse një qytet që duhet të tërheqë vizitorë për bukuritë e tij nuk mund të trajtohet thjesht si pika ku përfundojnë mbetjet e pjesës tjetër të vendit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related