Vdekja e Arlinda Zekajt, 11 zyrtarë policorë pezullohen në Kosovë

Publikuar me datë:

Njëmbëdhjetë zyrtarë të Policisë së Kosovës janë pezulluar lidhur me trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.

Njoftimi zyrtar i Policisë bën të ditur se Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur një hetim paraprak për të shqyrtuar veprimet ose mosveprimet e këtyre zyrtarëve gjatë trajtimit të çështjes.

Lista e të pezulluarve përfshin ushtruesin e detyrës së drejtorit rajonal të Policisë në Pejë, shefin e hetimeve rajonale, komandantin dhe zëvendëskomandantin e Stacionit Policor të Pejës, si dhe drejtues të tjerë nga sektorët e hetimit dhe operativës.

Gjithashtu, masa e pezullimit përfshin komandantin e nënstacionit policor në Vitomiricë dhe katër hetues të Stacionit Policor të Pejës.

Sipas Policisë së Kosovës, këto pezullime janë kryer me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës dhe kanë për qëllim sigurimin e një hetimi të pavarur dhe përcaktimin e përgjegjësive individuale të zyrtarëve në trajtimin e rastit.

Institucioni ka theksuar gatishmërinë për të bashkëpunuar ngushtë me organet përkatëse gjatë hetimit të këtij rasti.

Njoftimi i plotë

“Policia e Kosovës (PK), bazuar në Ligjin e Policisë së Kosovës, Udhëzimin Administrativ për Shkeljet, Masat dhe Procedurat Disiplinore në Policinë e Kosovës si dhe rekomandimin e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), ka suspenduar 11 (njëmbëdhjetë) zyrtarë policorë, lidhur me trajtimin e rastit të viktimës A. Z, të ndodhur në Vitomiricë të Pejës.

Ndaj zyrtarëve policorë është duke u zhvilluar një hetim paraprak nga Inspektorati Policor i Kosovës, lidhur me veprimet apo mos veprimet e tyre në rastin në fjalë. Bazuar në rekomandimin e IPK-së, menaxhmenti i PK-së ka suspenduar: U.D/drejtorin Rajonal në DRP-Pejë, Shefin e Hetimeve Rajonale DRP – Pejë, Komandantin e Stacionit Policor – Pejë, Z.V/komandantin e Stacionit Policor – Pejë, Shefin e Sektorit të Hetimeve në Stacionin Policor –Pejë, U.D/Shefin e Sektorit të Operativës në Stacionin Policor – Pejë, Komandantin e Nënstacionit Vitomiricë dhe 4 (katër) hetues policorë të Stacionit Policor – Pejë.

Suspendimet janë bërë në interes të hetimeve të pavarura, llogaridhënies institucionale dhe përgjegjësive individuale, në trajtimin e rastit. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ruajtjen e vlerave, integritetit dhe shërbimit në mënyrë të drejtë e të paanshme, si dhe do të bashkëpunojë ngushtë me të gjitha institucionet relevante”, thuhet në njoftim.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related