Këlliçi ironizon paketën fiskale: Rama i shpall luftë Ballukut me taksën për vilat në bregdet, pas zbulimeve të SPAK-ut

Publikuar me datë:

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka përdorur tone ironike në adresë të paketës së re fiskale të prezantuar nga kryeministri Edi Rama, duke e lidhur çështjen e taksimit të vilave në bregdet me hetimet ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Përmes një postimi në Facebook, Këlliçi akuzon Ramën se po përpiqet të hakmerret ndaj bashkëpunëtores së tij më të afërt, duke pretenduar se Balluku e ka vendosur kryeministrin në një situatë të vështirë pas zhvillimeve të fundit penale që lidhen me të.

“Edi Rama duket se ka gjetur mënyrën për t’u hakmarrë ndaj Ballukut, pasi ka duruar pengmarrjen e saj të gjatë. Natyrisht, bashkëpunëtorja më e ngushtë e tij ka gjetur pengun e duhur, Kryeministrin, për t’i shpëtuar burgut dhe për të qenë e lirë, edhe pse ka 5 akuza të rënda dhe 13 vepra penale në kurriz”, shkruan Këlliçi.

Deputeti demokrat vijoi me ironizimin e kryeministrit, duke e cilësuar atë si kryetar të një “organizate” dhe nënvizoi se taksa e re për vilat në bregdet është, sipas tij, një mënyrë hakmarrjeje ndaj Ballukut.

“Por kreu i organizatës nuk rri duarkryq. Ai ka menduar një plan shpagimi dhe këtë e theksoi sot në monologun e tij. Edi Rama tha se do të ketë një goxha taksë të madhe për vilat në bregdet. Kjo është masa që ai ka menduar si ndëshkim ndaj Ballukut”, vijon reagimi i deputetit demokrat.

Gjatë reagimit të tij, Këlliçi përmendi prona të vendosura në Palasë dhe Dhërmi, për të cilat pohon se janë identifikuar nga SPAK si pjesë e hetimeve që prekin Ballukun.

“Deri tani, për bashkëpunëtoren kryesore në vjedhje, SPAK ka zbuluar tri vila, dy binjake në Palasë dhe një në Dhërmi. Por me 1.2 miliardë euro që Balluku ka abuzuar me taksat e shqiptarëve, ajo me siguri nuk do ta ketë të vështirë të paguajë edhe taksat për vilat e saj luksoze”, përfundon Këlliçi.

Ky reagim nga ana e Këlliçit erdhi pas deklaratave të Edi Ramës, i cili prezantoi ndryshimet e reja të planifikuara në paketën fiskale për vitin 2027, ku përfshihen edhe masa të reja tatimore që prekin pronat në zonat bregdetare.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related