Burgim i përjetshëm për ish-partnerin që vrau studenten shqiptare në Itali

Publikuar me datë:

Mark Antony Samson, 24 vjeç, është dënuar me burgim të përjetshëm në Itali për vrasjen e ish-të dashurës së tij shqiptare, Ilaria Sula, 22 vjeçe. Ngjarja ndodhi në mars të vitit 2025, kur i riu, i diplomuar në arkitekturë, e vrau studenten e Universitetit Sapienza të Romës dhe më pas e fshehu trupin e saj në një valixhe, të cilën më vonë e hodhi në një zonë periferike jashtë Romës.

Nga hetimet rezultoi se vrasja u krye në apartamentin e Samsonit në “Via Homs”, lagjja Afrikane e kryeqytetit italian. Pas krimit, trupi i Ilarias u vendos në një valixhe dhe u braktis në Capranica Prenestina.

Samsoni e ka pranuar fajin, ndërsa gjykata e shpalli fajtor për vrasje të rëndë me paramendim dhe për fshehjen e trupit të viktimës. Prokuroria kërkoi dënimin maksimal me burgim të përjetshëm, ndërkohë që avokatët e mbrojtjes argumentuan për heqjen e disa rrethanave rënduese, përfshirë paramendimin dhe motivet e kota.

Babai i Ilaria Sulës: Drejtësia u vu në vend, por dënimin e vërtetë e mbartim ne

Menjëherë pas vendimit të gjykatës, babai i viktimës, Flamur Sula, deklaroi se edhe pse drejtësia u vu në vend, familja mbetet e dënuar me dhimbjen e përjetshme të humbjes së vajzës së tyre.

“Drejtësia është vënë në vend, por dënimin e vërtetë me burgim të përjetshëm e vuajmë ne, unë dhe gruaja ime. Ai ende merr frymë, vajza ime jo. Ky është një moment i rëndësishëm për drejtësinë. Gjithmonë kam pasur besim te drejtësia dhe nuk jam braktisur”, deklaroi ai pas shpalljes së vendimit në burgun Rebibbia.

Gjatë procedimeve, prokurorët Giuseppe Cascini dhe Maria Perna ngulën këmbë për burgim të përjetshëm, ndërsa mbrojtja kërkoi që të mos përfshiheshin rrethanat rënduese si paramendimi, motivet e kota apo lidhja emocionale me viktimën, si dhe njohjen e rrethanave lehtësuese.

Seanca gjyqësore u zhvillua në ambientet e burgut Rebibbia, ku morën pjesë familjarë dhe miq të Ilarias, si dhe studentë nga Universiteti Sapienza, ku ajo studionte.

Gjatë hetimeve, autoritetet shqyrtuan edhe rolin e nënës së Samsonit. Ajo u shpall fajtore për bashkëpunim në fshehjen e trupit të të ndjerës dhe u dënua me dy vjet burg.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related