Berisha kundër rritjes së taksave: Rama po çon drejt falimentimit mijëra biznese, rrezikohen qindra mijëra vende pune!

Publikuar me datë:

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të reja ndaj qeverisë së Edi Ramës, duke e akuzuar për rritje të barrës fiskale që u kanoset bizneseve shqiptare. Sipas tij, këto ndryshime pritet të çojnë në falimentimin e shumë kompanive dhe humbjen e vendeve të punës.

Gjatë një deklarate me video të shpërndarë nga selia e Partisë Demokratike, Berisha tha se paketa e re fiskale synon rritjen e taksës mbi dividentin nga 8% në 15%, rritjen e tatimfitimit nga 15% në 17%, si dhe uljen e pragut të TVSH-së nga 10 milionë lekë në 5 milionë lekë.

Ai theksoi se këto masa do të reflektohen gjithashtu në rritjen e çmimeve për konsumatorët shqiptarë.

Videomesazhi i plotë:

Të dashur qytetarë dhe qytetare,
Mbrëmë, në një akt tinëzar, por aq edhe zuzar, pa konsultuar me asnjë faktor apo grup interesi, padrinoja i vendit, me Petrit Ballukun në financa, kanë njoftuar se do rrisin taksat qindra milionë euro për bizneset shqiptare.
Ata njoftojnë se do të dyfishojnë taksën mbi dividentin nga 8 në 15%, do të rrisin taksën mbi tatim fitimin nga 15 në 17%, do të ulin nivelin e xhiros së TVSH-së nga 10 milionë në 5 milionë.
Me një fjalë, e vërteta është se do të çojnë drejt falimentimit me qindra e mijëra biznese dhe po kështu shkatërrimin e qindra mijëra vendeve të punës.
Miq, kjo masë pabesie vjen në një kohë kur për shkak të narkoshtetit të Edi Ramës, në Shqipëri euro dhe dollari kanë pësuar zhvlerësimin më të madh në botë, përkatësisht 35%. Për rrjedhojë po kaq janë zhvlerësuar eksportet e vendit, prodhimi industrial ka rënë me 15.3%, eksportet kanë rënë me 28%.
Kjo rritje taksash shënon një falimentim të mëtejshëm, por dhe rritje të mëtejshme të çmimeve për shqiptarët. Dhe kur mendon se të gjitha këto përfundojnë në xhepat dhe llogaritë bankare të një organizate kriminale, krimi bëhet monstruoz.
Premtoj qytetarëve shqiptarë se Partia Demokratike do të anulojë këtë paketë dhe do vendosë taksën e sheshtë 10%, dhe se nivelin e pagesës së TVSH-së do ta ngrejë në 15 milionë lekë, ndërkohë ajo do të zbresë në 6% TVSH-në për ushqimet dhe mallrat bazë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related