Bojkoti i pedagogëve vijon edhe në fillim të kësaj jave në Shkodër, ku pjesa më e madhe e tyre nuk kanë zhvilluar mësim, duke lënë auditorët pothuajse të zbrazët.
Edhe pjesëmarrja e studentëve ka qenë tepër e ulët. Sipas të dhënave nga rektorati i universitetit, në Fakultetin Ekonomik, Fakultetin e Shkencave të Edukimit dhe Fakultetin e Drejtësisë, në procesin mësimor janë paraqitur vetëm dy deri në tre studentë.
Sindikata e Pedagogëve sqaron se vendimi për të mos zhvilluar mësim është marrë individualisht nga pedagogët, ndërsa qëndrimi zyrtar i sindikatës për bojkotin mbetet pa një afat përfundimtar.
Ndërkohë, gjatë kësaj jave pritet të mblidhet sërish Këshilli Sindikal i Pedagogëve, ku pritet të diskutohen zhvillimet e fundit dhe hapat e mëtejshëm të protestës.

