Në Shkodër, Kisha Katolike shënoi 76 vjet nga ndarja nga jeta e martires Marie Tuci, e cila vdiq në moshën 22-vjeçare si pasojë e torturave të regjimit komunist.
Ngjarja u hap me një procesion që nisi në Katedralen e Shën Shtjefnit. Besimtarët, duke mbajtur me vete imazhin e “Lumja” Marie Tuci, ecën nëpër rrugët e qytetit për të nderuar sakrificën e saj në mbrojtje të besimit.
Mesha përkujtimore u zhvillua në Kishën e Motrave Stigmatine, ku Dom Mark Pashkja udhëhoqi shërbesën. Në fjalën e tij, ai vlerësoi “përkushtimin e jashtëzakonshëm të Marie Tucit ndaj fesë” dhe qëndrueshmërinë e saj ndaj përndjekjeve komuniste.
E reja nga Mirdita, e cila nuk u tërhoq nga besimi pavarësisht torturave, konsiderohet sot një simbol i dinjitetit, zërit të gruas dhe qëndresës përballë diktaturës. Historia e Marie Tucit mbetet një burim frymëzimi për vlerat e lirisë së ndërgjegjes dhe mbrojtjes së të drejtave njerëzore.

