Partia Demokratike në Shkodër u ka bërë thirrje qytetarëve të marrin pjesë në protestën kombëtare që do të zhvillohet të shtunën, më 24 tetor, në Tiranë, në mbështetje të studentëve dhe kërkesave të tyre.
Kryetari i PD-së Shkodër, Ardit Cylybyli, ka dalë në një deklaratë publike, ku ka shprehur solidaritetin me të rinjtë dhe u ka kërkuar prindërve, studentëve dhe qytetarëve shkodranë t’i bashkohen tubimit.
“Kur studentët ngrihen për të drejtat dhe të ardhmen e tyre, shoqëria duhet të jetë pranë tyre! Sakrifica e tyre nuk duhet të shkojë dëm. Zëri i tyre duhet të dëgjohet dhe shqetësimet e tyre duhet të marrin përgjigje”, deklaroi Cylybyli.
Sipas tij, tubimi i së shtunës është një mundësi për të treguar mbështetje ndaj studentëve dhe për të kërkuar që shqetësimet e tyre të mos mbeten pa përgjigje, pavarësisht bindjeve politike.
Në fund të reagimit, kreu i demokratëve të Shkodrës ka përsëritur thirrjen për pjesëmarrje në protestën e 24 tetorit, duke konfirmuar se PD do të jetë në krah të studentëve.

