Kuvendi miraton ligjin për të drejtën e autorit, rregulla të reja për YouTube, Facebook dhe TikTok

Publikuar me datë:

Platformat e mëdha online, mes tyre YouTube, Facebook dhe TikTok, do të përballen me detyrime të reja për përdorimin e materialeve të mbrojtura nga e drejta e autorit. Kuvendi miratoi sot ligjin e ri, i cili parashikon që këto platforma të sigurojnë autorizimin për përdorimin e veprave dhe të ndërhyjnë kur evidentohen shkelje. Risitë u prezantuan nga ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja.

Një nga pikat e reja është edhe detyrimi që platformat ndërkombëtare që ofrojnë shërbime në Shqipëri, por nuk kanë seli në vend, të caktojnë një përfaqësues ligjor. Kjo synon t’u mundësojë krijuesve shqiptarë një kontakt zyrtar ku mund të kërkojnë mbrojtjen e të drejtave të tyre.

Ndryshime parashikohen edhe në marrëdhëniet kontraktuale mes autorëve dhe subjekteve që përdorin krijimet e tyre. Autorët do të kenë të drejtë të marrin informacion mbi mënyrën e përdorimit të veprave dhe të ardhurat që ato sjellin, si dhe të kërkojnë rishikimin e kontratave kur vlerësojnë se pagesa që marrin nuk është e drejtë.

Ministri Gonxhja bëri të ditur gjithashtu se do të riorganizohet struktura që mbulon të drejtën e autorit pranë ministrisë. Në kuadër të këtij ndryshimi, parashikohet ngritja e një njësie të posaçme për mbrojtjen e të drejtave të autorit në mjedisin digjital dhe shtimi i stafit me 11 punonjës.

Sipas ministrit, ligji synon të forcojë mbrojtjen e krijuesve shqiptarë, të rrisë përgjegjësinë e platformave online dhe të harmonizojë kuadrin ligjor vendas me standardet europiane.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related